Më shumë se një duzinë ligjvënësish republikanë janë rebeluar kundër udhëheqjes së partisë së tyre dhe presidentit amerikan, Donald Trump, duke votuar së bashku me demokratët për miratimin e një projektligji të madh që parashikon miliarda dollarë ndihmë për Ukrainën dhe vendos sanksione jashtëzakonisht të ashpra ndaj Rusisë.
Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan e miratoi paketën me 226 vota pro dhe 195 kundër. Bëhet fjalë për masën e parë të madhe të mbështetjes për Ukrainën gjatë mandatit të dytë të Trumpit, e cila synon gjithashtu goditjen e sektorit rus të naftës dhe gazit.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, u kishte bërë thirrje më herët anëtarëve të partisë që ta kundërshtonin projektligjin. Sipas burimeve, ai kishte argumentuar në një takim me dyer të mbyllura se Trumpit duhej t’i lihej hapësirë për negociata me Rusinë.
Megjithatë, 18 republikanë dhe një deputet i pavarur iu bashkuan demokratëve dhe votuan pro ligjit. Kjo konsiderohet një goditje për politikën e Trumpit ndaj luftës në Ukrainë dhe një sinjal i qartë për përçarjet brenda Partisë Republikane, ku shumë anëtarë kundërshtojnë dërgimin e ndihmës shtesë për Ukrainën, raporton bbc.
Për ta sjellë projektligjin në votim, u përdor një mekanizëm i veçantë procedural për të anashkaluar udhëheqjen republikane. Rolin kryesor në mbledhjen e 218 nënshkrimeve të nevojshme e patën republikani Brian Fitzpatrick dhe demokrati Greg Meeks.
Ligji parashikon sanksione të rrepta ndaj liderëve rusë dhe institucioneve kryesore, përfshirë bankat më të mëdha, kompanitë e naftës dhe ato minerare. Gjithashtu, ai vendos një tarifë doganore prej 500 për qind për të gjitha mallrat ruse që importohen në SHBA dhe ndalon plotësisht importin e naftës së papërpunuar ruse.
Sa i përket mbështetjes ushtarake për Ukrainën, projektligji autorizon 8 miliardë dollarë për shitjen e armëve dhe zgjat programin e huadhënies së pajisjeve ushtarake (lend-lease), i cili ishte aktiv gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden.
Ndërsa politika e jashtme e Trumpit muajt e fundit është përqendruar kryesisht te Irani, lufta në Ukrainë është intensifikuar. Që nga marrja e detyrës në janar 2025, Trump nuk ka arritur progres të dukshëm në premtimin e tij për t’i dhënë fund shpejt konfliktit.
Fati i projektligjit në Senat mbetet i pasigurt. Nëse ai miratohet edhe atje, do të përbëjë veprimin më të rëndësishëm të Kongresit amerikan lidhur me luftën në Ukrainë që nga paketa kontroverse e financimit shtesë e miratuar në pranverën e vitit 2024. /Telegrafi/






