Jadranko Prliq, ish-kryeministri i Republikës së Kroacisë Herceg-Bosnjës, i dënuar me 25 vjet burgim nga Tribunali i Hagës, ka kërkuar sërish lirimin e parakohshëm nga burgu.
Prliq po e vuan dënimin në Mbretërinë e Bashkuar, pasi në vitin 2017, Gjykata e Apelit e Tribunalit të Hagës e la në fuqi dënimin prej 25 vjetësh për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në kërkesën e tij drejtuar Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale, Prliq thotë se e pranon vendimin përfundimtar, peshën e krimeve për të cilat është dënuar dhe përgjegjësinë e tij personale. Ai shpreh gjithashtu pendesë për rolin e tij në kryerjen e krimeve dhe ngushëllon viktimat boshnjake dhe familjet e tyre.
“Krimet nuk i kryejnë popujt, por individët. Krimet duhet të pranohen sinqerisht, jo të mohohen apo të justifikohen, ndërsa kriminelët e luftës nuk duhet të shpallen heronj, sepse kjo i fyen drejtpërdrejt dhe thellësisht viktimat”, shkroi Prliq në kërkesë.
Ai pranon gjithashtu përfundimet faktike dhe juridike të gjykimit, përfshirë konstatimet për spastrimin etnik dhe krimet e kryera ndaj popullsisë boshnjake gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, shkruan index.hr.
Prliq ka deklaruar se, nëse lirohet, planifikon të jetojë me bashkëshorten në Zagreb, ku jetojnë edhe vajzat e tij me familjet e tyre. Ai thotë se do të vazhdojë të angazhohet kundër mohimit të krimeve dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, si dhe për ndërtimin e paqes dhe rivendosjen e besimit në Bosnje dhe Hercegovinë.
Kjo nuk është kërkesa e tij e parë. Një kërkesë e mëparshme për lirim të parakohshëm u refuzua në mars të vitit 2025. Në atë vendim, kryetarja e Mekanizmit, gjyqtarja Graciela Gatti Santana, tha se, megjithëse Prliq i plotësonte kushtet për shqyrtimin e lirimit, pesha e krimeve dhe mungesa e dëshmive të mjaftueshme për rehabilitimin e tij flisnin kundër lirimit.
Prliq ishte një nga gjashtë zyrtarët e Herceg-Bosnjës të dënuar në të njëjtin proces. Bruno Stojiq, Slobodan Praljak dhe Milivoj Petković u dënuan me nga 20 vjet, Valentin Çoriq me 16 vjet, ndërsa Berislav Pushiq me 10 vjet burgim.
Gjatë shpalljes së vendimit përfundimtar në vitin 2017, Slobodan Praljak piu helm në sallën e gjyqit dhe vdiq po atë ditë. /Telegrafi/






