Forcat ukrainase kanë zhvilluar një kundërofensivë të suksesshme dhe të zhvilluar në heshtje në veri të Lymanit, duke zmbrapsur trupat ruse dhe duke penguar planin e tyre për rrethimin e zonës së Sllovjanskut dhe Kramatorskut.
Forcat ukrainase, kryesisht pjesë e Korparmatës së Tretë, vepruan në një zonë strategjike të frontit. Në këtë pjesë, Armata e 20-të e kombinuar ruse po përparonte ngadalë drejt perëndimit, nga një kryeurë në bregun perëndimor të lumit Zherebec, përmes fshatrave dhe fushave.
Synimi i forcave ruse ishte ndërprerja e linjave të furnizimit për trupat ukrainase në Sllovyansk, një nga dy qytetet e mëdha në rajonin e Donetskut që ende kontrollohen nga Kievi.
Gjatë verës, forcat ukrainase përparuan në veri të Lymanit dhe njëkohësisht u zhvendosën drejt jugut, në drejtim të fshatrave Ridkodub, Katerinovka dhe Nove, shkruan evropaelire.
Sipas të dhënave nga studiues të pavarur, analistë ushtarakë dhe blogerë nga të dyja palët, operacioni ka rezultuar me sukses të rëndësishëm.
Një pjesë e madhe e forcave ruse është zmbrapsur deri te lumi Zherebec, ndërsa grupe më të vogla kanë mbetur të rrethuara. Sipas raportimeve, kjo përbën një nga ndryshimet më të mëdha në fushëbetejë gjatë muajve të fundit.
Ky sukses ka ulur për momentin presionin ndaj mbrojtjes ukrainase përgjatë vijës së qyteteve dhe rrugëve që shtrihet nga veriu në jug dhe përfshin Sllovyanskun dhe Kramatorskun.
Kundërofensiva, e cila zgjati pothuajse katër muaj, u zhvillua nën një bllokadë të pazakontë informative. Deri para disa ditësh, informacionet për operacionin pothuajse nuk kishin arritur te blogerët ushtarakë ukrainas dhe rusë në Telegram.
Eksperti ushtarak polak Konrad Muzyka tha për Radio Evropa e Lirë se ukrainasit kanë rimarrë një pjesë të territorit që Rusia e kishte pushtuar.
Sipas tij, kjo është e rëndësishme jo vetëm për atë që po ndodh rreth Lymanit, por edhe sepse mund të ketë penguar planin rus për rrethimin e zonës Sllovyansk-Kramatorsk nga veriu dhe jugu.
Edhe Dara Massicot, eksperte për ushtrinë ruse në Fondacionin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, tha se përpjekja ruse nga veriu duket se është ndalur.
Sukseset ukrainase janë konfirmuar edhe nga disa kanale ruse në Telegram. Blogeri Anatoly Shariy e përshkroi situatën si “debakël në frontin e Lymanit”, ndërsa kanali Rybar, i cili më herët është lidhur me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, tha se “situata pranë Lymanit është alarmante”.
Një tjetër kanal, Dnevnik Desantnika, pranoi se forcat ruse kishin pësuar “një humbje të pakëndshme taktike”, duke shtuar se shumica e trupave ruse ishin tërhequr.
Një bloger tjetër prorus, Yuri Kotenok, u ankua për mungesën e informacionit nga burimet ukrainase, duke thënë se Ukraina po zhvillonte ofensivën pranë Lymanit në “heshtje të plotë”.
Ushtria ukrainase nuk pranoi të komentonte operacionin, duke thënë se ai ende është në zhvillim. Megjithatë, komandanti i Korparmatës së Tretë, gjenerali Andriy Biletsky, e konfirmoi në mënyrë të përgjithshme kundërofensivën më 15 shtator.
Ai tha se forcat ukrainase kishin eliminuar “xhepat e armikut” dhe se operacioni ishte zhvilluar nën një regjim të rreptë të heshtjes informative.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se ky sukses nuk pritet të sjellë një ndryshim të gjerë strategjik për Ukrainën. Kievi vazhdon të jetë në pozitë më të pafavorshme, pasi Rusia ka më shumë trupa dhe në shumë zona është më mirë e armatosur.
Komandantët rusë e kanë përcaktuar pushtimin e Sllovyanskut dhe Kramatorskut si prioritet, pasi marrja e tyre do t’i mundësonte Moskës kontrollin e të gjithë rajonit të Donjeckut, përkatësisht të Donbasit.
Çështja e kontrollit territorial në Donbas mbetet një nga problemet kryesore në negociatat e paqes të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, viti 2026 ka qenë relativisht i qëndrueshëm për forcat ukrainase në front. Në disa zona, Kievi ka rimarrë më shumë territor sesa ka arritur të pushtojë Rusia.
Suksesi pranë Lymanit tregon aftësinë luftarake të disa prej njësive më të mira ukrainase, por gjithashtu nxjerr në pah problemet e vazhdueshme të ushtrisë ruse, veçanërisht me rekrutët e rinj që dërgohen në front me trajnim minimal.
“Ukraina tani praktikisht e ka eliminuar kërcënimin e rrethimit të Lymanit dhe po i vë në rrezik pozicionet ruse në veri të qytetit”, deklaroi grupi kërkimor finlandez Black Bird Group.
Bashkëthemeluesi i tij, Emil Kastehelmi, tha se fushata verore ruse e vitit 2026 “mund të konsiderohet një dështim”. /Telegrafi/






