Autoritetet amerikane kanë ngritur akuza ndaj pesë personave, të cilët dyshohet se kanë punuar për shërbimet ruse të inteligjencës dhe kanë rekrutuar individë për vëzhgime, vrasje dhe akte sabotimi në SHBA dhe Evropë.
Të akuzuarit janë shtetasit rusë Yuri Khrameev, 63 vjeç, dhe djali i tij Kirill Khrameev, 27 vjeç, shtetasit kubanë Oemis Romagoza Durruthy dhe Yaidel Delgado Suarez, 35 vjeç, si dhe venezueliani Angel Eduardo Castro, 22 vjeç.
Sipas aktakuzës së publikuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, rrjeti i dyshuar kishte rekrutuar persona në SHBA për të vëzhguar dhe vrarë disidentë rusë, ndërsa kishte synuar edhe individë dhe infrastrukturë në vende evropiane që mbështesin Ukrainën.
Një nga rastet e fundit lidhet me një disident rus që besohej se jetonte në SHBA. Një person i rekrutuar u pagua fillimisht 1000 deri në 1500 dollarë për të vëzhguar objektivin dhe për të dërguar fotografi e video të vendeve që lidhen me të.
Më pas, sipas prokurorëve, dy prej të dyshuarve i ofruan atij 40 mijë dollarë për ta “eliminuar” ose “zhdukur” objektivin. Personi refuzoi ta kryente vetë vrasjen dhe u pyet nëse njihte dikë tjetër që mund ta bënte këtë.
Një rast tjetër kishte ndodhur në Lituani në vitin 2025. Sipas aktakuzës, Kirill Khrameev i ofroi një shtetasi amerikan rreth 200 dollarë për të udhëtuar në Vilnius dhe për të fotografuar adresën e një personi që rrjeti e konsideronte kundërshtar të Rusisë.
Pas përfundimit të kësaj detyre, Yuri Khrameev, të cilin prokurorët e përshkruajnë si ish-kolonel të shërbimeve ruse të inteligjencës, dyshohet se i ofroi amerikanit rreth 25 mijë dollarë për ta vrarë objektivin.
Kur amerikani refuzoi, sipas aktakuzës, atij iu ofrua një “punë më e thjeshtë”, që përfshinte vënien e zjarrit në një magazinë ose sulmin ndaj një nënstacioni elektrik. Yuri Khrameev dyshohet se i tha se objektivat duhej të ishin në vende që mbështesin Ukrainën.
Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë gjithashtu se rrjeti dyshohet se ka koordinuar sulme në Evropë, përfshirë raste në Çeki dhe Lituani gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Të pesë të akuzuarit përballen me akuzën për komplot për financimin e terrorizmit, ndërsa tre prej tyre akuzohen gjithashtu për komplot për kryerjen e vrasjes me pagesë. Sipas autoriteteve amerikane, të gjithë të dyshuarit ndodhen jashtë SHBA-së.
Departamenti i Drejtësisë thekson se aktakuza përmban akuza dhe se të gjithë të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet në gjykatë. /Telegrafi/






