Pesë mënyra se si mendimet na lodhin, edhe kur asgjë nuk po ndodh

shendetesi

Nga bisedat që zhvillojmë vetëm në kokë te skenarët më të këqij, disa modele të të menduarit mund ta mbajnë trupin në tension edhe pa një rrezik real Njeriu mund të kalojë gjithë ditën ulur dhe në mbrëmje të ndihet sikur ka zhvilluar dhjetë biseda të vështira, ka zgjidhur probleme që nuk kanë ndodhur dhe […]

Madhësia e shkronjave

Nga bisedat që zhvillojmë vetëm në kokë te skenarët më të këqij, disa modele të të menduarit mund ta mbajnë trupin në tension edhe pa një rrezik real

Njeriu mund të kalojë gjithë ditën ulur dhe në mbrëmje të ndihet sikur ka zhvilluar dhjetë biseda të vështira, ka zgjidhur probleme që nuk kanë ndodhur dhe ka përjetuar disa herë të njëjtën situatë të pakëndshme. Trupi pushon, por mendja vazhdon të punojë.

Të mendosh për të kaluarën dhe të ardhmen nuk është domosdoshmërisht keq. Kjo na ndihmon të kuptojmë përvojat, të përgatitemi dhe të marrim vendime. Problemi nis kur mendimet sillen vazhdimisht në rreth, pa sjellë zgjidhje, por vetëm tension.

1. Bisedat që i zhvillojmë paraprakisht në mendje

Para një takimi me shefin, partnerin, mjekun apo një familjar, shpesh imagjinojmë çfarë do të themi dhe si mund të reagojë tjetri. Një përgatitje e shkurtër mendore mund të jetë e dobishme.

Por kur për orë të tëra krijojmë dhjetëra versione të së njëjtës bisedë dhe përpiqemi të parashikojmë çdo reagim, kjo nuk është më përgatitje, por përpjekje për të kontrolluar diçka që nuk varet prej nesh.

Ndihmon të përcaktojmë dy ose tri mesazhe kryesore që duam të përcjellim dhe të fokusohemi te fjalët, toni dhe kufijtë tanë.

2. Rikthimi i vazhdueshëm te ajo që ka ndodhur

“Pse e thashë këtë?”, “Pse nuk e kuptova më herët?”, “Çfarë mendojnë tani për mua?”

Rikthimi i pandërprerë te një gabim apo situatë e pakëndshme quhet ruminacion. Shpesh mendojmë se analizimi i mëtejshëm do të na qetësojë, por zakonisht na rikthen te i njëjti shqetësim.

Më e dobishme se pyetja “Pse e bëra?” është: “Çfarë mund të bëj tani?” Nëse ekziston një veprim konkret, si kërkimi i faljes apo një bisedë, ndërmerreni. Nëse jo, analiza e pafund nuk e ndryshon të kaluarën, transmeton Telegrafi.

3. Shqetësimet për gjëra që mund të mos ndodhin kurrë

Ruminacioni lidhet kryesisht me të kaluarën, ndërsa shqetësimi me të ardhmen: “Po sikur të gaboj?”, “Po sikur të sëmurem?”, “Po sikur ta humbas punën?”

Një sasi e caktuar shqetësimi mund të na ndihmojë të përgatitemi. Por kur mendojmë vazhdimisht për situata që nuk i kontrollojmë, mendja dhe trupi mbeten në gjendje alarmi.

Ndihmon ndarja e shqetësimeve në dy grupe: ato për të cilat mund të bëjmë diçka dhe ato mbi të cilat nuk kemi kontroll. Për të parat caktojmë një hap konkret; për të dytat mund të rezervojmë një kohë të shkurtër gjatë ditës, në vend që ato të na pushtojnë vazhdimisht.

4. Kur një problem shndërrohet në skenarin më të keq

Një gabim në punë bëhet menjëherë “largim nga puna”. Një mesazh pa përgjigje interpretohet si fundi i një marrëdhënieje. Një dhimbje koke bëhet shenjë e një sëmundjeje serioze.

Ky model quhet katastrofizim: skenarin më të keq e trajtojmë sikur të ishte edhe më i mundshmi.

Në këto raste ndihmojnë tri pyetje: Çfarë di me siguri? Çfarë vetëm po supozoj? Cili është rezultati më i mundshëm, jo më i frikshmi?

Qëllimi nuk është të bindim veten se gjithçka do të shkojë mirë, por të mos e shpallim rrezikun fakt pa prova.

5. Jeta që mendojmë se do të ishte më e mirë po të kishim zgjedhur ndryshe

Pas një vendimi të rëndësishëm shpesh pyesim: “Çfarë do të kishte ndodhur po të kisha zgjedhur ndryshe?”

Këto quhen mendime kundërfaktike dhe mund të jenë të dobishme nëse na ndihmojnë të nxjerrim mësime. Problemi lind kur idealizojmë rrugën që nuk e kemi zgjedhur, duke parë vetëm përfitimet dhe jo vështirësitë e saj.

Më mirë është të nxjerrim një mësim për të ardhmen dhe të kujtojmë se vendimet e atëhershme janë marrë me informacionin dhe mundësitë që kishim në atë moment.

Qëllimi nuk është t’i ndalim mendimet

T’i themi vetes “nuk duhet të mendoj më për këtë” shpesh sjell efektin e kundërt.

Më dobishme është ta njohim mendimin: “Po krijoj një katastrofë që nuk ka ndodhur” ose “Po rikthehem te diçka që nuk mund ta ndryshoj”.

Nëse nuk kërkohet ndonjë veprim konkret, vëmendja mund të rikthehet te e tashmja përmes ecjes, aktivitetit fizik, bisedës, shkrimit ose përqendrimit te ajo që shohim dhe dëgjojmë.

Nëse këto mendime prishin gjumin, punën apo marrëdhëniet dhe shkaktojnë shqetësim të fortë, biseda me psikologun ose psikiatrin mund të ndihmojë. /Telegrafi/