Pse njeriu më i pasur i Afrikës nis shitjen më të madhe të aksioneve në kontinent?

Bota

Miliarderi nigerian Aliko Dangote ka nisur shitjen më të madhe të aksioneve ndonjëherë në Afrikë, duke i ofruar publikut të gjerë një pjesë të pronësisë në rafinerinë e tij të naftës, në një marrëveshje që mund të gjenerojë deri në 2.1 miliardë dollarë. Oferta publike fillestare (IPO) përfshin rreth 3% të rafinerisë Dangote; miliarderi është […]

Madhësia e shkronjave

Miliarderi nigerian Aliko Dangote ka nisur shitjen më të madhe të aksioneve ndonjëherë në Afrikë, duke i ofruar publikut të gjerë një pjesë të pronësisë në rafinerinë e tij të naftës, në një marrëveshje që mund të gjenerojë deri në 2.1 miliardë dollarë.

Oferta publike fillestare (IPO) përfshin rreth 3% të rafinerisë Dangote; miliarderi është shprehur se dëshiron t’u japë nigerianëve të zakonshëm mundësinë për të qenë pjesë e suksesit të këtij impianti, transmeton Telegrafi.

Rafineria, e cila nisi prodhimin në vitin 2024, është një nga më të mëdhatë në botë dhe ndërtimi i saj zgjati më shumë se një dekadë.

Aktualisht, ajo mbulon më shumë se 70% të konsumit të energjisë në Nigeri dhe shumë nigerianë kanë shprehur entuziazëm për mundësinë e zotërimit të një pjese të saj.

Mes tyre është edhe Isah Salisu, i cili i tha BBC-së se tërhoqi 50,000 naira (37 dollarë) nga kursimet e tij për të investuar.

“Shpresa ime është që shuma ime e vogël të rritet një ditë. Nuk dua ta humbas këtë mundësi, pasi edhe shumë njerëz që njoh po investojnë,” tha ai.

Procesi i IPO-s zgjat një muaj dhe blerja minimale është 10 aksione, me një kosto prej rreth 4 dollarësh.

Eksperti i ekonomisë dhe biznesit, Dr. Abdulrazak Ibrahim Fagge, i tha BBC-së se ngjarja e së hënës ishte historike.

Megjithatë, ai paralajmëroi investitorët se çmimi i aksioneve mund të ulet, çka do të thotë se njerëzit mund të humbasin një pjesë të parave të tyre.

“Ajo që duhet të dinë blerësit e mundshëm, veçanërisht ata që blejnë për herë të parë, është se nuk duhet të investojnë të gjitha paratë e tyre ose para që do t’u duhen brenda pak muajve”, tha ai.

“Ata duhet të investojnë shuma pa të cilat mund të bëjnë për tre, katër apo pesë vitet e ardhshme”, shtoi ai.

Ai gjithashtu këshilloi njerëzit të bëjnë kujdes nga mashtruesit, duke theksuar se ka individë që mund të përpiqen të përfitojnë nga ata që nuk e njohin mirë procesin.

“Do t’i këshilloja njerëzit të bashkëpunojnë vetëm me institucionet e listuara zyrtarisht”, tha ai.

Nigeria është prodhuesi më i madh i naftës në Afrikë, por deri në hapjen e kësaj rafinerie, pjesa më e madhe e karburantit të vendit duhej të importohej për shkak të mungesës së kapaciteteve vendase të përpunimit.

I lindur në Kano, 67-vjeçari Dangote zotëron një pasuri neto prej rreth 28 miliardë dollarësh, sipas revistës Forbes. Ai e krijoi pasurinë e tij përmes industrisë së çimentos dhe sheqerit në Nigeri, përpara se të zgjerohej në 16 vende të tjera afrikane.

Kompania e tij, “Dangote Cement”, është prodhuesi më i madh i çimentos në Afrikë.

Ndërtimi i rafinerisë në Lagos u njoftua fillimisht në vitin 2013, me një kosto fillestare të vlerësuar në rreth 19 miliardë dollarë, por punimet nuk nisën deri në vitin 2017. Procesi u vonua më tej nga pandemia e COVID-19.

Për realizimin e projektit në Zonën e Lirë “Lekki”, pranë Lagosit, u desh të kryheshin punime të mëdha për rimarrjen e tokës nga deti, duke zhvendosur 65 milionë metra kub rërë.

Rafineria ka një kapacitet përpunimi prej 650,000 fuçish në ditë, çka e bën atë të shtatën më të madhen në botë.

Fondet e mbledhura përmes shitjes së aksioneve synojnë të ndihmojnë në dyfishimin e kapacitetit të saj. /Telegrafi/