Mediumi turk shkruan për Besnik Hasin dhe filozofinë e tij te Amedspor: Fleksibilitet taktik, presing dhe sulme të shpejta

Sport

Besnik Hasi po ndërton një Amedspor me një identitet të qartë taktik, ku fleksibiliteti në formacion, organizimi defensiv dhe kalimi i shpejtë në sulm janë ndër elementet kryesore të filozofisë së tij. Trajneri shqiptar, i lindur më 25 dhjetor 1971 në Gjakovë, gjatë karrierës si futbollist luajti kryesisht si mesfushor defensiv. Ai e zhvilloi pjesën […]

Madhësia e shkronjave

Besnik Hasi po ndërton një Amedspor me një identitet të qartë taktik, ku fleksibiliteti në formacion, organizimi defensiv dhe kalimi i shpejtë në sulm janë ndër elementet kryesore të filozofisë së tij.

Trajneri shqiptar, i lindur më 25 dhjetor 1971 në Gjakovë, gjatë karrierës si futbollist luajti kryesisht si mesfushor defensiv. Ai e zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës në Belgjikë, ku veshi fanellat e Genkut, Anderlechtit dhe Lokerenit, ndërsa për Shqipërinë luajti 47 ndeshje.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Hasi iu përkushtua trajningut, fillimisht si ndihmës te Anderlechti. Më pas drejtoi ekipe si Mechelen dhe Anderlechti, ndërsa gjatë viteve fitoi përvojë edhe në futbollin evropian dhe atë të Lindjes së Mesme.

Në qershor të vitit 2026, Hasi mori drejtimin e Amedsporit, me të cilin nënshkroi kontratë dyvjeçare.

Hasi nuk është një trajner që i përmbahet në mënyrë strikte vetëm një skeme taktike. Formacioni bazë që spikat në filozofinë e tij është 4-2-3-1, por në varësi të kundërshtarit dhe zhvillimit të ndeshjes ai mund të kalojë edhe në 3-4-2-1 apo 4-1-4-1.

Kjo tregon një qasje taktike fleksibile, ku sistemi ndryshon në funksion të nevojave të ndeshjes, shkruan mediumi turk Kanal46.

Në lojën e Hasit rëndësi të veçantë kanë intensiteti, duelet fizike dhe shfrytëzimi i hapësirave.

Ekipet e tij synojnë të organizojnë presing në pjesën e sipërme të fushës ose në bllokun e mesëm, me qëllim që kundërshtari të ketë sa më pak hapësirë për të ndërtuar aksionet.

Një tjetër element i rëndësishëm i filozofisë së Hasit është reagimi menjëherë pas rikuperimit të topit.

Trajneri kërkon që skuadra të kalojë shpejt në sulm përmes pasimeve vertikale dhe të shfrytëzojë momentin kur mbrojtja kundërshtare është ende e paorganizuar.

Në këtë strukturë, sulmuesit anësorë mund të lëvizin drejt qendrës dhe të sulmojnë hapësirat në zonë, ndërsa mbrojtësit e krahut japin gjerësi në sulm.

Plani ndryshon në varësi të kundërshtarit

Një nga karakteristikat e Hasit është edhe përgatitja e ndeshjeve në bazë të kundërshtarit. Ai analizon pikat e forta dhe dobësitë e ekipit përballë dhe përshtat planin e lojës sipas tyre.

Pra, qëllimi nuk është vetëm që Amedspori të imponojë një sistem të pandryshueshëm, por të ketë mundësi të ndryshojë strukturën dhe mënyrën e lojës kur situata e kërkon.

Në këtë mënyrë, Hasi synon që Amedspori të jetë më pak i varur nga momentet individuale të lojtarëve dhe të funksionojë si një ekip i organizuar, me detyra të qarta në fazat e ndryshme të lojës.

Me ekipin luajnë edhe dyshja e Kosovës, Ermal Krasniqi dhe Lumbardh Dellova.

Fleksibiliteti taktik, presingu i organizuar, intensiteti fizik dhe kalimi i shpejtë në sulm janë disa nga elementet kryesore që karakterizojnë filozofinë e Besnik Hasit te Amedspori. /Telegrafi/