Pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar për herë të parë publikisht djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi.
Përmes një postimi, ai ka falënderuar shqiptarët që udhëtuan në Hagë dhe qëndruan në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se beteja ende nuk ka përfunduar.
“Falënderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare që udhëtuan dhe që pritën me orë të tëra për vendimin. Në veçanti, ata që nuk e ndalën zërin edhe pas vendimit”, ka shkruar Endriti.

Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që, sipas tij, e kanë mbështetur familjen Thaçi ndër vite.
“Mirënjohja ime shkon për secilin prej jush që na u bëtë krah ndër vite, në këtë rrugëtim të padrejtë të babit dhe shokëve të tij”, thuhet në reagim.
Endrit Thaçi ka thënë se edhe ai do t’i bashkohet zërit të mbështetësve, duke theksuar se familja do të vazhdojë përpara me dinjitet dhe maturi.
“Sapo të kthehem, do t’i bashkëngjitem edhe unë zërit tuaj, sepse kjo betejë nuk ka mbaruar. Ashtu si babi sot, që me kokën lart u përball me këtë ditë, edhe ne do të vazhdojmë përpara me kokën lart, me dinjitet dhe maturi”, ka shkruar ai.
Djali i ish-presidentit të Kosovës ka theksuar se historia e luftës së UÇK-së nuk mund të ndryshohet nga një vendim gjyqësor.
“Ne e dimë historinë tonë. Ushtarët tanë e kanë të gdhendur në lëkurë, ndërsa dëshmorët tanë e kanë vulosur me gjakun e tyre. Këtë histori nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim”, thuhet në postimin e tij.
Endrit Thaçi ishte i pranishëm sot në Hagë, ku pas shpalljes së vendimit u pa i trishtuar duke dalë nga objekti i Gjykatës. Ai nuk pranoi të komentonte për gazetarët.
Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i shkallës së parë dhe mund të apelohet./Telegrafi/





