Kombëtarja e Kosovës do ta nisë ciklin kualifikues në Ligën B të Ligës së Kombeve më 24 shtator, kur në Prishtinë do të presë Irlandën.
Pas kësaj përballjeje, “Dardanët” do të udhëtojnë drejt Austrisë, ku më 27 shtator do të përballen me përfaqësuesen vendase.
Më 1 tetor, Kosova do të luajë në Hungari ndaj Izraelit, ndërsa cikli i katër ndeshjeve do të mbyllet më 4 tetor në Prishtinë, sërish ndaj Austrisë.
Për këto ndeshje, përzgjedhësi Franco Foda pritet të ketë disa probleme me mungesa lojtarësh. I pari është Amir Rrahmani, i cili ka vendosur ta pezullojë angazhimin e tij, pas mosmarrëveshje me FFK-në, madje edhe duke i paditur. Por nuk është vetë Rrahmani që mungon në mbrojtje.

Një prej mungesave të sigurta pritet të jetë edhe Kreshnik Hajrizi, i cili u lëndua në maj dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Ai ende nuk është rikuperuar plotësisht dhe pritet të mungojë në të katërta ndeshjet e Ligës së Kombeve, shkruan Telegrafi.
Kreshnik Hajrizi, mbrojtësi i Kosovës telegrafi.com
Jashtë grumbullimit pritet të jetë edhe mesfushori Elvis Rexhbeçaj, i cili ka pësuar një dëmtim disa muaj më parë gjatë një stërvitjeje me Wolfsburgun dhe ende nuk është rikthyer në dispozicion të plotë.
Një tjetër mungesë e rëndësishme mund të jetë Florent Muslija. Mesfushori nuk ka luajtur që nga 24 prilli, kur pësoi një dëmtim në gju, dhe prej atëherë është duke vazhduar procesin e rikuperimit.
Gjendja e tij pritet të jetë një prej çështjeve që do të përcaktojë nëse do të jetë në dispozicion të Fodës.
Në dyshim mbetet edhe Fisnik Asllani, i cili së fundmi është rikthyer nga dëmtimi. Sulmuesi luajti për disa minuta në ndeshjen e fundit të Hoffenheimit ndaj Stuttgartit, por pas rikthimit nga lëndimi në gju, mund të mos jetë ende në gjendjen optimale fizike për të përballuar ngarkesën e katër ndeshjeve.
Ndërkohë, situatë e veçantë është edhe ajo e Milot Rashicës. Sulmuesi ka pasur shumë pak minuta këtë sezon, pasi nuk është duke pasur hapësirën e dëshiruar te Besiktasi.
Milot Rashica, një prej lojtarëve me më shumë paraqitje te Kosova telegrafi.com
Për këtë arsye, mbetet në pikëpyetje edhe përfshirja e tij në listën e Kosovës për grumbullimin e radhës.
Kosova do të ketë një periudhë të ngjeshur në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit, me katër ndeshje brenda dhjetë ditësh, ndaj gjendja fizike e lojtarëve do të jetë një faktor i rëndësishëm për përzgjedhjen e Franco Fodës.
Lista do të publikohet të premten. /Telegrafi/





