Sony ka prezantuar kufjet e reja me valë PlayStation Pulse dhe Pulse Edge, të cilat të dyja kanë drejtues magnetikë planarë dhe mbështetje për lidhjen PlayStation Link.
Kufjet me teknologji magnetike planare përdorin membrana të holla dhe të sheshta të vendosura mes magnetëve dhe mund të ofrojnë shtrembërim më të ulët dhe bas më të pastër krahasuar me kufjet që përdorin lloje të tjera drejtuesish. Sony prezantoi kufjet e para me këtë teknologji, Pulse Elite, në vitin 2024.

Sipas Sony, si Pulse ashtu edhe Pulse Edge mundësojnë përcaktimin më të saktë të drejtimit nga vijnë tingujt, duke u ndihmuar lojtarëve të dallojnë më lehtë drejtimin e hapave apo tingujve të tjerë në lojërat me qitje në vetën e parë.
Ndërkohë, PlayStation Link mundëson transmetimin e zërit me vonesë jashtëzakonisht të ulët dhe kalimin e lehtë mes pajisjeve që e mbështesin këtë teknologji, përfshirë PS5, PlayStation Portal, PC dhe Mac. Kufjet mund të lidhen me pajisje të tjera edhe përmes Bluetooth-it.
Të dy modelet kanë mikrofonë të integruar me reduktim të zhurmës të përmirësuar nga inteligjenca artificiale, për filtrimin e zhurmave në sfond.
Modeli Pulse Edge ka dyfish më shumë magnetë se Pulse, duke mundësuar bas më të thellë. Ai gjithashtu ka anulim aktiv të zhurmës dhe mikrofon të shkëputshëm për komunikim më të qartë gjatë lojërave.
Të dy modelet ende nuk janë në shitje. Sony ka njoftuar se PlayStation Pulse do të dalë në treg në disa vende gjatë sezonit të festave të fundvitit, ndërsa Pulse Edge pritet të prezantohet në fillim të vitit 2027.
Çmimet dhe datat e sakta të prezantimit ende nuk janë bërë të ditura. /Telegrafi/





