Lamine Yamal ka zbuluar se Paris Saint-Germaini është skuadra që e sheh si favorite për ta fituar sërish Ligën e Kampionëve këtë sezon.
PSG-ja e ka fituar trofeun në dy sezonet e fundit dhe këtë edicion synon të bëhet vetëm skuadra e katërt në histori që e fiton Ligën e Kampionëve tri herë radhazi, pas Real Madridit, Ajaxit dhe Bayern Munichut.
Skuadra e Luis Enriques është sërish mes favoriteve për trofeun, por përballë do të ketë konkurrencë të fortë nga Arsenali, Bayerni dhe Barcelona e vetë Yamalit.
Megjithatë, Yamal nuk dëshiron të përfshihet nga entuziazmi dhe e sheh PSG-në si skuadrën për t’u mposhtur në Evropë.
“PSG-ja”, u përgjigj Yamal kur u pyet nga Movistar se kush është favorit.
“Por problemi i tyre është se është shumë e vështirë të fitosh pasi ke fituar. Kjo është gjëja më e vështirë në futboll. Kur fiton një trofe, ta fitosh sërish është më e vështira”.
“Kjo është frika që kam edhe kur ne fitojmë diçka, se mund të relaksohemi”.
Ndërkohë, 19-vjeçari ka treguar edhe një prej dobësive të Barcelonës në fazat vendimtare të Ligës së Kampionëve.
“Pika jonë e dobët është përballja me kundërshtarë si Bayern Munichu apo PSG-ja, që janë më fizikë, të detyrojnë të vraposh shumë dhe të qëndrosh i përqendruar gjatë gjithë ndeshjes”.
“Arsenali është një ndeshje më taktike, e fokusuar te posedimi i topit”.
Barcelona u eliminua në mënyrë befasuese nga Atletico Madridi në çerekfinalet e sezonit 2025/26, ndërsa një vit më herët u eliminua nga Interi në fazën gjysmëfinale./Telegrafi/






