Protesta në Prishtinë, Policia njofton se sonte shtoi kontrollet në rrugët e kryeqytetit

Nacionale

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me masat e ndërmarra gjatë protestës së mbajtur të shtunën në Prishtinë, duke thënë se ato kishin për qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e trafikut rrugor. Në një komunikatë për media, Policia ka rikujtuar se pas protestës së 18 shtatorit, disa persona kishin zhvilluar defilime me automjete, […]

Madhësia e shkronjave

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me masat e ndërmarra gjatë protestës së mbajtur të shtunën në Prishtinë, duke thënë se ato kishin për qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e trafikut rrugor.

Në një komunikatë për media, Policia ka rikujtuar se pas protestës së 18 shtatorit, disa persona kishin zhvilluar defilime me automjete, vozitje të rrezikshme dhe kishin dalë mbi vetura, veprime që, sipas Policisë, paraqisnin rrezik për pjesëmarrësit në trafik.

Për këtë arsye, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe garantimit të sigurisë gjatë protestës së 19 shtatorit, Policia ka ndërmarrë masa shtesë në hyrje të rrugëve të kryeqytetit.

Sipas Policisë, masat kishin për qëllim ndalimin e vozitjeve të rrezikshme që ishin evidentuar edhe gjatë natës së kaluar, deri në orët e vona pas mesnatës.

“Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë për qëllim që të ndalojë apo të pengojë pjesëmarrjen në protestë, e as të pengojë qarkullimin e automjeteve të cilat drejtohen sipas rregullave të trafikut”, thuhet në komunikatë.

Policia ka theksuar se qëllimi i saj ishte ndalimi i vozitjeve të rrezikshme dhe ndërmarrja e masave ndaj personave që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e trafikut rrugor.

Në fund, Policia e Kosovës ka ritheksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestë të qetë dhe demokratike, ndërsa ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin./Telegrafi/