Kush është Julian Quinones, shënuesi i parë i Botërorit 2026 që e la në hije edhe Cristiano Ronaldon

Sport

Julian Quinones do të mbetet përgjithmonë në histori si futbollisti që shënoi golin e parë të Kupës së Botës 2026. Sulmuesi i Meksikës realizoi në minutën e nëntë të ndeshjes hapëse ndaj Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar Azteca, duke i dhënë avantazhin vendasve dhe duke hyrë në librat e historisë së futbollit. Por kush […]

Madhësia e shkronjave

Julian Quinones do të mbetet përgjithmonë në histori si futbollisti që shënoi golin e parë të Kupës së Botës 2026.

Sulmuesi i Meksikës realizoi në minutën e nëntë të ndeshjes hapëse ndaj Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar Azteca, duke i dhënë avantazhin vendasve dhe duke hyrë në librat e historisë së futbollit.

Por kush është njeriu që shënoi golin e parë të Botërorit?

Julian Quinones është një sulmues 29-vjeçar që aktivizohet te Al-Qadsiah në Arabinë Saudite dhe për Kombëtaren e Meksikës. Ai ka lindur dhe është rritur në Kolumbi, por në moshën 18-vjeçare u transferua te Tigres, ku hodhi hapat e parë drejt ngritjes së tij në futbollin elitar.

Në maj të vitit 2023 ai refuzoi një ftesë nga Kombëtarja e Kolumbisë, për të cilën kishte luajtur më parë me ekipin U20, duke zgjedhur të përfaqësojë Meksikën. Debutimi i tij me fanellën meksikane erdhi në nëntor të po atij viti.

Para transferimit në Arabinë Saudite gjatë vitit 2024, Quinones luajti me sukses edhe për Atlasin dhe Club América, duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit meksikan.

Transferimi i tij te Al-Qadsiah për 13.8 milionë euro u bë shitja më e shtrenjtë në historinë e një klubi meksikan.

Në sezonin e tij të parë në Ligën Profesionale Saudite ai realizoi 20 gola, ndërsa në sezonin 2025/26 shpërtheu me plot 33 gola në kampionat.

Kjo paraqitje fantastike i siguroi Këpucën e Artë të ligës saudite, duke lënë pas emra të mëdhenj si Ivan Toney me 32 gola dhe Cristiano Ronaldo me 28 gola.

Megjithatë, momenti më i madh i karrierës së tij erdhi para 83 mijë tifozëve në stadiumin Azteca.

Pas një gabimi të mbrojtjes së Afrikës së Jugut pranë zonës së penalltisë, Quinones përfitoi nga rasti, depërtoi në qendër dhe finalizoi me qetësi përmes këmbëve të portierit kundërshtar.

Ishte goli që hapi Kupën e Botës 2026 dhe që e bëri sulmuesin e Meksikës pjesë të historisë së futbollit botëror.

Pavarësisht se deri ku do të arrijë Meksika në këtë Botëror, emri i Julian Quinones tashmë është i skalitur përgjithmonë në histori si autori i golit të parë të Kupës së Botës 2026. /Telegrafi/