Alderweireld lartëson yllin e ri të Belgjikës: Njerëzit shkojnë në stadium vetëm për ta parë atë

Sport

Ish-mbrojtësi i Belgjikës, Toby Alderweireld, beson se Jeremy Doku është lojtari kyç i kombëtares belge dhe futbollisti që mund të bëjë diferencën në Kupën e Botës 2026. Në një intervistë për Goal, ish-ylli i Tottenham Hotspur lavdëroi anësorin e Manchester Cityt, duke e cilësuar si talismanin kryesor të Belgjikës. “Po, sigurisht. Disa njerëz flasin për […]

Madhësia e shkronjave

Ish-mbrojtësi i Belgjikës, Toby Alderweireld, beson se Jeremy Doku është lojtari kyç i kombëtares belge dhe futbollisti që mund të bëjë diferencën në Kupën e Botës 2026.

Në një intervistë për Goal, ish-ylli i Tottenham Hotspur lavdëroi anësorin e Manchester Cityt, duke e cilësuar si talismanin kryesor të Belgjikës.

“Po, sigurisht. Disa njerëz flasin për Jeremy Dokun që nuk i ka statistikat e golave dhe asistimeve si lojtarët më të mëdhenj në botë. Por mos harroni sa i rrezikshëm është ai”, deklaroi Alderweireld.

Sipas tij, prania e Dokut në fushë detyron kundërshtarët t’i kushtojnë vëmendje të veçantë, duke krijuar hapësira për bashkëlojtarët e tij.

“Ekipet kundërshtare vendosin një, dy ose edhe tre lojtarë pranë tij. Kjo do të thotë se hapësira krijohet diku tjetër dhe lojtarët e tjerë përfitojnë nga kjo. Mendoj se ai është talismani ynë kryesor”.

Alderweireld theksoi se forca më e madhe e Dokut është mentaliteti i tij për të mos u dorëzuar kurrë.

“Ai është shumë i mirë, shumë i shpejtë dhe i fortë. Kur tenton një driblim dhe nuk ka sukses, ai e provon përsëri, pastaj përsëri dhe përsëri. Kjo është cilësia e tij. Ai nuk mendon: ‘Dështova një herë, tani do ta luaj më sigurt’. Jo, ai vazhdon të sfidojë kundërshtarët. Për këtë arsye ai është lojtari ynë kryesor në këtë Kupë Bote”.

Ish-mbrojtësi belg shtoi se Doku është një futbollist që i bën tifozët të shkojnë në stadium vetëm për ta parë atë në aksion.

“Edhe pa parë golat dhe asistet e tij, është kënaqësi ta shikosh. Njerëzit shkojnë në stadium për të. Kur dikush vendos të shohë një ndeshje të Belgjikës, mendon: ‘Le ta shohim përsëri Dokun dhe mënyrën se si i kalon kundërshtarët’. Është bukur për t’u parë. Ky është futboll i pastër. Doku është futboll i pastër”, përfundoi Alderweireld. /Telegrafi/