Arbër Pajaziti kërkon përfaqësim më të madh të shqiptarëve në polici

Vendore

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Misionit të OSBE-së, ku temë kryesore e diskutimit ishte përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sigurisë, me theks të veçantë në Policinë e Serbisë. Gjatë takimit u diskutua për kriteret e përzgjedhjes së […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Misionit të OSBE-së, ku temë kryesore e diskutimit ishte përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sigurisë, me theks të veçantë në Policinë e Serbisë.

Gjatë takimit u diskutua për kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, procedurat e aplikimit dhe testet që duhet të kalojnë kandidatët për të përfunduar me sukses Akademinë Policore dhe për t’u punësuar në këtë sektor.

Pajaziti theksoi se përfshirja e shqiptarëve në institucionet e sigurisë është një domosdoshmëri për një mjedis multietnik si Bujanoci, duke vlerësuar se përfaqësimi i drejtë institucional ndikon drejtpërdrejt në rritjen e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin që proceset e përzgjedhjes të zhvillohen mbi baza profesionale dhe ligjore, pa ndikime politike apo etnike që mund të çojnë në diskriminimin e kandidatëve shqiptarë.

Kryetari i komunës premtoi mbështetje dhe ndihmë logjistike nga institucionet lokale për të rinjtë shqiptarë që synojnë të bëhen pjesë e Policisë, me qëllim krijimin e mundësive të barabarta për integrim në institucionet shtetërore.

Në fund të takimit, Pajaziti u bëri thirrje të rinjve dhe të rejave shqiptare që të aplikojnë në konkurset e ardhshme për policë, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për avancim profesional dhe përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve në institucionet e sigurisë./BujanociNet/