Paris Saint-Germain e ka siguruar titullin e pestë radhazi në Ligue 1 – për herë të parë në historinë e klubit – pas fitores 2-0 ndaj Lensit në “Stade Bollaert-Delelis”, në duelin direkt me ndjekësit më të afërt.
Ndeshja ishte e shoqëruar me polemika që para fillimit, pasi Lens kishte shfaqur pakënaqësi për shtyrjen e mëparshme të përballjes, e cila i dha PSG-së më shumë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit.
Lens e nisi më mirë takimin dhe krijoi rastet e para. Pas një mundësie të hershme për Dro Fernández, vendasit u shfaqën më të rrezikshëm me Ismaëlo Ganiou dhe Odsonne Édouard, ndërsa portieri Matvey Safonov u detyrua të ndërhyjë disa herë vendimtare – fillimisht duke ndalur Wesley Said, e më pas me Illia Zabarnyi që e spastroi topin nga vija pas tentimit të Adrien Thomasson.
Megjithatë, momenti kyç i pjesës së parë i takoi PSG-së. Ousmane Dembélé ndërhyri në mesfushë, ia mori topin Malang Sarr-it dhe e shërbeu Khvicha Kvaratskhelian, i cili realizoi me një goditje të saktë me të djathtën, duke e dërguar topin në rrjetë për 1-0.
Lens nuk u dorëzua dhe e kërkoi barazimin deri në pushim, por pa sukses.
Pas rikthimit nga dhomat e zhveshjes, Lens vazhdoi me presion të vazhdueshëm dhe i afrohej gjithnjë e më shumë golit. Safonov u shfaq përsëri i pakalueshëm, duke pritur goditjen e Simas, ndërsa i njëjti lojtar humbi edhe një tjetër mundësi kur gjuajtja e tij u përplas në gjoksin e portierit rus dhe u largua nga zona.
Kur Lens nuk po e shfrytëzonte dominimin dhe rastet, PSG tregoi cinizmin tipik të kampionëve. Në kohën shtesë, Ibrahim Mbaye lëshoi një goditje të fuqishme që përfundoi përtej portierit Robin Risser, duke vulosur fitoren 2-0 dhe titullin e 14-të në elitën e futbollit francez.
Edhe pse nuk ishte paraqitja më bindëse e skuadrës së Luis Enrique, PSG e mbylli punën me trofe – ndërsa tani në horizont mbetet synimi i madh për një tjetër sezon me “dopietë”, Ligue 1 dhe Liga e Kampionëve. /Telegrafi/






