Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, ka deklaruar se statusi “non grata” i ish-kryeministrit Sali Berisha në Britani të Madhe mbetet në fuqi dhe se çështja trajtohet si proces ligjor, e jo politik.
Në një intervistë për emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Abbott u pyet nëse çështja e ndalimit të hyrjes së Berishës në Mbretërinë e Bashkuar është përfundimisht e mbyllur.
“Në Mbretërinë e Bashkuar një çështje e tillë nuk është politike, është një çështje ligjore. Pra, për sa më përket mua, vetëm nëqoftëse mund të ketë ndonjë sfidë ligjore, do të mbetet si e tillë”, deklaroi ambasadori britanik.

I pyetur nëse mund të ketë rishikime apo masa të ngjashme edhe për politikanë të tjerë shqiptarë, Abbott u shpreh i rezervuar.
“Është një pyetje që shpesh më bëhet dhe nuk e di çfarë përgjigje të jap”, tha ai.
Diplomati britanik komentoi edhe klimën politike në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si, sipas tij, klasa politike shqiptare vazhdon të mbetet e fokusuar në konfliktet dhe modelet e së kaluarës.
“Mendoj se shqetësimi im më i madh do të ishte që ndjesia ime është që shpeshherë klasa politike kapet me të kaluarën. Ata besojnë se politika mund të luhet sikundër ka qenë në të kaluarën”, theksoi Abbott.
Sipas tij, realiteti global kërkon një qasje tjetër politike dhe më të orientuar drejt sfidave bashkëkohore.
“Vetë klasa politike është shumë e kapur në Shqipëri dhe realiteti i botës ku jetojmë është që gjithnjë e më shumë problemet që na prekin janë përtej asaj çfarë ne shohim me sy”, u shpreh ambasadori britanik.





