Davide Ancelotti po e shijon një fillim të jashtëzakonshëm në aventurën e tij të parë si trajner kryesor në Evropë.
Djali i Carlo Ancelottit është emëruar në krye të Lille dhe pas katër javësh në Ligue 1 e ka dërguar skuadrën në krye të tabelës, me dhjetë pikë nga 12 të mundshme.
Fitorja 2-0 ndaj Troyes në fundjavën e kaluar ishte një tjetër dëshmi e punës së mirë të italianit. Megjithatë, vetë Davide nuk dëshiron të përfshihet nga euforia. “Ende kemi vend për përmirësim”, deklaroi ai pas suksesit, duke treguar qasjen e tij ndaj një sezoni që sapo ka nisur.
Nga krahu i Carlo Ancelottit te trajneri kryesor

Davide ka kaluar vite të tëra në hijen e njërit prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e futbollit. Ai ishte bashkëpunëtor i rëndësishëm i babait të tij, Carlo, dhe veçanërisht gjatë aventurës së fundit te Real Madridi luajti një rol të rëndësishëm në një skuadër që fitoi dy Liga të Kampionëve brenda tri vitesh.
Pas kësaj periudhe, Davide vendosi se kishte ardhur koha të ndërtonte rrugën e tij. Përvoja e parë si trajner kryesor te Botafogo në Brazil nuk shkoi sipas pritshmërive, ndërsa më pas iu bashkua sërish të atit si pjesë e stafit të Kombëtares së Brazilit.
Pas përfundimit të aventurës së Brazilit në Kupën e Botës, telefonata nga Lille ndryshoi gjithçka. Presidenti i klubit, Olivier Létang, i cili e njihte Daviden që nga koha kur Carlo drejtonte Paris Saint-Germainin, e bindi atë të merrte përsipër drejtimin e skuadrës.
Davide nuk humbi kohë. Menjëherë pas përfundimit të angazhimit me Brazilin, ai u shfaq në qendrën stërvitore të Lille dhe nisi punën me ekipin.
Rezultatet erdhën shpejt. Lille e nisi kampionatin me paraqitje bindëse dhe ishte shumë pranë një starti perfekt, por PSG-ja arriti të shënonte dy gola në kohën shtesë në javën e dytë, duke barazuar 2-2 një ndeshje në të cilën skuadra e Ancelottit kishte epërsinë 2-0.
Edhe debutimi në Ligën e Kampionëve ishte pozitiv në aspektin e paraqitjes. Lille la përshtypje të mirë ndaj Betisit, por kartoni i kuq i hershëm i Ethan Mbappé-s ndikoi në rrjedhën e takimit dhe ia vështirësoi skuadrës mundësinë për të marrë rezultat pozitiv.
Mbështetja për Mbappenn dhe mësimet nga Carlo
Një prej momenteve që ka treguar më së miri karakterin e Davide Ancelottit ishte mënyra se si ai reagoi ndaj gabimit të Ethan Mbappes.
Në vend që ta ndëshkonte rëndë pas kartonit të kuq ndaj Betisit, trajneri i Lille zgjodhi ta mbështeste. Mbappé e nisi ndeshjen e radhës ndaj Troyes nga banka rezervë, por kur hyri në fushë, përshëndetja e ngrohtë me trajnerin tregoi marrëdhënien mes tyre.
Më pas, sulmuesi i ri e shpërbleu besimin e trajnerit duke shënuar gol.
Kjo qasje kujton shumë mënyrën e punës së Carlo Ancelottit, i cili gjatë gjithë karrierës është vlerësuar për marrëdhënien e shkëlqyer me futbollistët dhe aftësinë për t’i menaxhuar ata në momente të vështira.
Mitologjia greke për të motivuar lojtarët
Por Davide duket se ka ndërtuar edhe stilin e tij personal të motivimit. Sulmuesi francez Olivier Giroud, një prej emrave me përvojë në skuadrën e Lille, ka zbuluar se trajneri italian përdor shembuj nga mitologjia greke për të motivuar lojtarët.
Kjo përzierje mes qetësisë, komunikimit me lojtarët dhe kërkesës për disiplinë po duket se po funksionon. Lille ka marrë dhjetë nga 12 pikët e mundshme në Ligue 1 dhe aktualisht qëndron në krye të kampionatit.
Davide Ancelotti tashmë nuk po shihet vetëm si “djali i Carlo Ancelottit”. Ai po ndërton identitetin e tij si trajner, duke shfrytëzuar përvojën e jashtëzakonshme të fituar pranë të atit, por duke treguar se ka edhe idetë dhe mënyrën e tij të menaxhimit.
Të dielën e ardhshme, në transfertën ndaj Nice, Davide do të ketë një tjetër test për të mbrojtur kreun e kampionatit. Për të, ky nuk është më një kapitull si asistent i babait të tij, por fillimi i një karriere në të cilën duhet të dëshmojë vetë se mund të jetë trajner i nivelit të lartë. /Telegrafi/





