Jamie Carragher beson se transferimi i Bruno Guimaraes mund të rezultojë një goditje e madhe për Arsenalin, pasi mesfushori brazilian u transferua nga Newcastle United te “Topçinjtë”.
Reprezentuesi i Brazilit iu bashkua Arsenalit më 8 gusht për një shumë të raportuar prej rreth 87 milionë euro, duke nënshkruar kontratë katërvjeçare, me opsion për ta zgjatur edhe për një sezon.

Guimaraes tashmë ka bërë tri paraqitje me fanellën e Arsenalit këtë sezon dhe ka shënuar një gol, ndërsa paraqitjet e tij dhe thellësia e skuadrës kanë lënë përshtypje te Carragher.
Ish-mbrojtësi i Liverpoolit vlerëson se ardhja e brazilianit i ka dhënë Mikel Artetës një alternativë që i mungonte sezonin e kaluar, veçanërisht në momentet kur skuadra ka nevojë për më shumë energji dhe cilësi nga banka rezervë.
“Ka shumë mundësi që tani ta kenë edhe skuadrën më të mirë. Kur sheh Bruno Guimaraes të hyjë nga banka dhe të ndikojë menjëherë në lojë, kupton se Arsenalit i mungonte një lojtar i tillë sezonin e kaluar”, ka deklaruar Carragher.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë psikologjike që do të ketë për Arsenalin fitimi i titullit, duke besuar se skuadra e Artetës tani do të ketë më shumë besim në aftësitë e saj.
“Besoj se ndikimi psikologjik i fitimit të titullit do të jetë shumë i madh për Arsenalin. Ata nuk do ta kenë më atë shqetësimin që kishin për ta kaluar vijën e finishit. Tani e dinë se mund ta bëjnë dhe do të ndihen si skuadra më e mirë, me ekipin më të mirë”, përfundoi Carragher. /Telegrafi/





