Fulham po vazhdon të shikojë nga Real Madridi për të përforcuar skuadrën dhe së shpejti mund të transferojë edhe talentin e tretë nga klubi madrilen.
Sipas gazetës spanjolle Marca, mesfushori Thiago Pitarch është shumë pranë transferimit te klubi londinez, ndërsa marrëveshja konsiderohet vetëm çështje kohe.
Trajneri i Fulhamit, Alvaro Arbeloa, ish-lojtar i Real Madridit, thuhet se ka dhënë tashmë dritën jeshile për afrimin e 18-vjeçarit.

Edhe pse Pitarch nuk pritet të ketë hapësira në planet e trajnerit Jose Mourinho te Real Madridi, ai ka një lidhje të veçantë me Arbeloan.
Ish-mbrojtësi madrilen ishte trajneri që i dha Pitarchit tri debutimet më të rëndësishme të karrierës së tij. Fillimisht ai e promovoi te skuadra U-19 e Real Madridit, më pas te Castilla dhe sezonin e kaluar i besoi edhe debutimin me ekipin e parë.
Mesfushori zhvilloi 10 ndeshje në La Liga dhe gjashtë në Ligën e Kampionëve, duke qenë titullar në përballjet e fazës së 1/8 së finales ndaj Manchester Cityt dhe në ndeshjen e parë çerekfinale kundër Bayern Munichut.
Ndërkohë, Fulhami është shumë pranë zyrtarizimit edhe të dy talenteve të tjerë të Real Madridit, Gonzalo Garcia dhe Cesar Palacios.
Sipas raportimeve, transferimi i Garcias pritet t’i kushtojë klubit anglez të paktën 40 milionë euro, ndërsa për Palaciosin do të paguhen mes 8 dhe 10 milionë euro.
Për Thiago Pitarchin, Fulhami pritet të investojë të paktën 20 milionë euro, duke vazhduar kështu lidhjen e fortë me ish-lojtarët dhe talentet e Real Madridit./Telegrafi/





