Votuesve rusë po u jepen fletëvotime ku shenja “X” është vendosur tashmë në favor të partisë së Vladimir Putinit.
Kështu raportojnë media të huaja, të cilat kujtojnë se të premten, vendi nisi një proces votimi treditor – zgjedhjet e para parlamentare në kohë lufte – në të cilat praktikisht nuk ka opozitë dhe ku dominimi politik i Kremlinit është pothuajse i sigurt, në atë që kritikët e kanë cilësuar si një proces zgjedhor “farsë”.
Po sipas tyre, Oleg Mikhailov, kandidat i Partisë Komuniste, pretendoi se votuesve në qytetin Syktyvkar u ishin dhënë gabimisht fletëvotime të shënuara paraprakisht me një kryq në favor të partisë së Putinit, “Rusia e Bashkuar”.
Në një vend tjetër, u shfaqën pamje të një burri në Voronezh (Rusia jugperëndimore) duke hedhur disa fletëvotime në kutinë e votimit.

Një incident i ngjashëm u dokumentua në Shën Pjetërburg, ku një punonjës i qendrës së votimit u filmua duke futur me forcë rreth 100 fletëvotime në kuti.
Sipas raportimeve, u konstatuan probleme me vulat e sigurisë në disa kuti votimi.
Ndërkohë, punonjës të kompanive shtetërore dhe të fabrikave të mbrojtjes dyshohet se janë urdhëruar të dërgojnë foto të fletëvotimeve të tyre të plotësuara te eprorët, pasi ishin udhëzuar të votonin për “Rusinë e Bashkuar”.
Në rajonin e Samarës, individë të paidentifikuar u panë duke u larguar me fletëvotime në dorë, ndërsa në ishullin Sahalin, qendrat lëvizëse të votimit funksionuan pa vëzhgues, pasi këtyre të fundit iu pengua ndjekja e procesit.
Në rajonin e pushtuar të Luhanskut, votuesit mbetën të habitur kur u thanë se kishin votuar tashmë në votimin e hershëm, ndonëse banorët e shumë fshatrave nuk ishin njoftuar fare për mundësinë e votimit para datës zyrtare.
Për më tepër, disa politikanë kundërshtarë të luftës janë burgosur ose janë detyruar të largohen jashtë vendit para fillimit të fushatës.
Zgjedhjet vijnë pas një vere me sulme ukrainase me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj rafinerive të naftës, të cilat shkaktuan një krizë të gjerë karburanti.
Ndërkohë, raportohet se në Soçi, vendpushimi rus në Detin e Zi, qendrat e votimit u mbyllën përkohësisht për shkak të kërcënimit për sulm me dron, thanë zyrtarët lokalë.
Një qendër votimi në rajonin e Krasnodarit u desh të zhvendosej në një vend tjetër pasi një dron theu dritaret aty, tha kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova.
Për herë të parë, zgjedhjet parlamentare përfshijnë banorët e katër rajoneve ukrainase që Moska i aneksoi në mënyrë të paligjshme pas fillimit të luftës, por që ende nuk i kontrollon plotësisht.
Votimi po zhvillohet gjithashtu në Krime, gadishullin e Detit të Zi që u aneksua në mënyrë të paligjshme nga Rusia në vitin 2014.
Autoritetet në Kiev e cilësuan votimin në zonat e kontrolluara nga Rusia si të paligjshëm dhe u bënë thirrje qeverive të huaja dhe organizatave ndërkombëtare të mos i njihnin zgjedhjet, duke paralajmëruar ukrainasit se pjesëmarrja në organizimin e votimit mund të sillte përgjegjësi penale.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, gjithashtu e quajti votimin në rajonet e kontrolluara nga Rusia “të paligjshëm” dhe tha se Bashkimi Evropian e dënon atë.
Wigand tha se mënyra se si po mbahen zgjedhjet “nënvizon erozionin e vazhdueshëm dhe në rritje të demokracisë në Rusi” dhe se Kremlini “u heq votuesve në Rusi mundësinë e një zgjedhjeje të vërtetë për të ardhmen e vendit të tyr”.
Ai gjithashtu vuri në dukje se Rusia vendosi të mos ftonte vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, duke shpërfillur angazhimet e saj.
Ai u zotua se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë organizatat e shoqërisë civile ruse, grupet e të drejtave të njeriut dhe mediat e pavarura. /Telegrafi/





