Sulmuesi kosovar Baton Zabërgja ka vazhduar formën fantastike këtë edicion në elitën e futbollit ukrainas.
Zabërgja ishte njëri ndër protagonistët për ekipin e tij Kharkiv në fitoren me rezultat të pastër 2-0 në shtëpi ndaj Bukovynas në kuadër të javës së shtatë të kampionatit.
Ylli dardan realizoi në minutën e 70-të për rezultatin 2-0, e që në fund doli të ishte epilogu përfundimtar i këtij takimi.
Për 25-vjeçarin ky ishte goli i tij i katërt këtë edicion pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, teksa ka edhe një asistim.
Disa minuta në këtë ndeshje i mori gjithashtu edhe Ermir Rashica, i cili u inkuadrua në lojë në minutën e 85-të, duke zëvendësuar pikërisht Zabërgjën.
Kujtojmë se Zabërgja ka marrë ftesën nga Kombëtarja e Kosovës para katër ndeshjeve që ‘Dardanët’ do t’i zhvillojnë në kuadër të Ligës së Kombeve./Telegrafi/






