Granit Xhaka ka reaguar pasi autoritetet zvicerane kanë nisur hetim ndaj tij për dyshimet se kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar të vaksinimit kundër COVID-19.
Mesfushori i Sunderlandit i ka mohuar akuzat, ndërsa përfaqësuesi i tij, Andreas Bantel, ka bërë të ditur se Xhaka po bashkëpunon plotësisht me autoritetet zvicerane.
“Granit Xhaka po bashkëpunon plotësisht me autoritetet dhe është tërësisht transparent. Ai ka konfirmim nga mjeku i tij se është vaksinuar kundër COVID-19 për herë të parë më 25 janar 2022 dhe për herë të dytë më 11 nëntor 2022”, ka thënë Bantel.
Hetimi nga Prokuroria Publike e Lucernit lidhet me një mjeke, ordinanca e së cilës ishte bastisur nga policia në vitin 2023, pasi dyshohej se kishte lëshuar certifikata të rreme të COVID-19 për disa persona.
Autoritetet po shqyrtojnë nëse Xhaka ishte në mesin e personave që kishin marrë një certifikatë pa u vaksinuar.
Edhe avokati i mjekes, Cornel Borbely, ka deklaruar se klientja e tij “thotë se e ka vaksinuar Xhakën”.
Xhaka pritet të merret në pyetje nga autoritetet zvicerane, potencialisht në fillim të tetorit.
Mesfushori zviceran iu bashkua Sunderlandit në korrik të vitit 2025 nga Bayer Leverkusen, pasi më parë kishte luajtur për Arsenalin./Telegrafi/






