E majta suedeze kryeson ngushtë në zgjedhje, por rezultati final mbetet i hapur

Bota

Blloku i qendrës së majtë në Suedi ka marrë një avantazh të ngushtë ndaj koalicionit të djathtë në pushtet, por rezultati përfundimtar mbetet ende shumë i pasigurt. Më shumë se 90 për qind e votave janë numëruar, ndërsa rezultatet përfundimtare mund të vonojnë edhe disa ditë. Të gjitha votat do t’i nënshtrohen automatikisht një rinumërimi […]

Madhësia e shkronjave

Blloku i qendrës së majtë në Suedi ka marrë një avantazh të ngushtë ndaj koalicionit të djathtë në pushtet, por rezultati përfundimtar mbetet ende shumë i pasigurt.

Më shumë se 90 për qind e votave janë numëruar, ndërsa rezultatet përfundimtare mund të vonojnë edhe disa ditë. Të gjitha votat do t’i nënshtrohen automatikisht një rinumërimi nga autoritetet rajonale.

Rezultatet paraprake tregojnë se katër partitë opozitare të udhëhequra nga socialdemokratja Magdalena Andersson kanë siguruar një epërsi prej vetëm tre mandatesh ndaj aleancës së djathtë të drejtuar nga kryeministri aktual, Ulf Kristersson.

Megjithatë, diferenca është aq e vogël sa ende nuk mund të përcaktohet se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme, transmeton Telegrafi.

Partia Socialdemokrate e Anderssonit ka siguruar rreth 28 për qind të votave, por ky rezultat pritet të jetë ndër më të dobëtit e saj në më shumë se një shekull.

Andersson deklaroi se, nëse epërsia e bllokut opozitar konfirmohet, ajo është e gatshme të nisë përpjekjet për formimin e qeverisë së re.

Në fushatë, ajo ka premtuar rritje të taksave për bankat dhe personat me të ardhura të larta, shkurtimin e kohës së pritjes për shërbimet shëndetësore dhe masa për përmirësimin e sistemit arsimor.

Në anën tjetër, kryeministri Ulf Kristersson, partia e të cilit Moderatët ka marrë rreth 19.9 për qind të votave të numëruara, tha se do ta respektonte përpjekjen e Andersson për të formuar qeverinë nëse rezultati aktual konfirmohet.

Edhe pse blloku i qendrës së majtë kryeson në nivel koalicioni, disa prej partive më radikale në të dyja krahët kanë humbur mbështetje.

Demokratët e Suedisë, partia e së djathtës ekstreme, kanë rënë ndjeshëm krahasuar me zgjedhjet e vitit 2022. Rezultatet fillestare tregojnë se mbështetja për partinë ka zbritur nga 20.6 në 17.6 për qind.

Megjithatë, lideri i saj, Jimmie Åkesson, e cilësoi rezultatin si dëshmi se partia është bërë më e pranuar në politikën suedeze.

“Sot ka shumë më tepër njerëz në vendin tonë që nuk e kanë më të vështirë të thonë se janë Demokratë të Suedisë”, tha Åkesson.

Që prej vitit 2022, qeveria e Kristerssonit është mbështetur në parlament nga Demokratët e Suedisë, duke i dhënë kësaj partie ndikim të konsiderueshëm në politikat qeveritare.

– YouTube www.youtube.com

Kristersson kishte premtuar gjithashtu poste të rëndësishme ministrore për partinë në rast se aleanca e djathtë do të fitonte zgjedhjet.

Një qeveri e udhëhequr nga Socialdemokratët do t’i jepte fund katër viteve të qeverisjes së djathtë nën Kristerssonin.

Qeveria e tij erdhi në pushtet katër vjet më parë, në një periudhë kur Suedia po përballej me shqetësime në rritje për përplasjet mes bandave, të shtënat dhe krimin e organizuar.

Megjithatë, një ndryshim i qeverisë nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht një kthesë të politikës së ashpër të Suedisë ndaj emigracionit.

Socialdemokratët kanë deklaruar se edhe një qeveri e drejtuar nga Andersson do të mbante një politikë kufizuese të migracionit.

Pavarësisht avantazhit aktual të opozitës, beteja mbetet e hapur.

Votat që kanë mbërritur me vonesë pritet të numërohen duke filluar nga e mërkura, ndërsa të gjitha fletët e votimit do të rinumërohen automatikisht nga autoritetet rajonale.

Për këtë arsye, epërsia prej tre mandatesh e bllokut të qendrës së majtë mund të ndryshojë deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar.