Gërmimet arkeologjike që po zhvillohen në Bostan të Novobërdës kanë sjellë të dhëna të reja për një qendër të lashtë të lidhur me periudhën e Mbretërisë Dardane.
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se hulumtimet e viteve të fundit kanë konfirmuar ekzistencën e një vendbanimi të fortifikuar në këtë lokalitet.

Sipas saj, në Bostan janë identifikuar gjurmë të një muri rrethues, një kulle dhe një porte, ndërsa materialet e gjetura dëshmojnë për rëndësinë e këtij vendbanimi gjatë periudhës klasike dhe helenistike.
“Të dhënat e deritanishme po e bëjnë Bostanin një nga lokalitetet e rëndësishme për të kuptuar më shumë mbi jetën, ekonominë dhe organizimin e vendbanimeve gjatë periudhës së Mbretërisë Dardane në Dardani”, ka shkruar Bogujevci.
Ajo ka theksuar se zbulimet e reja po kontribuojnë në njohjen më të thellë të historisë së lashtë të Kosovës dhe të trashëgimisë arkeologjike të saj.





