Forcat amerikane kanë goditur një anije të dyshuar për trafik droge në Detin e Karaibeve, duke vrarë katër persona, njoftoi ushtria amerikane.
Komanda Jugore e SHBA-së, SOUTHCOM, tha se operacioni u krye të shtunën nga Joint Task Force Western Hemisphere, e cila goditi një anije të shpejtë që lëvizte në një nga rrugët e njohura të trafikut të drogës në Karaibe, transmeton Telegrafi.
Sipas SOUTHCOM, inteligjenca amerikane kishte konfirmuar se anija ishte e përfshirë në mënyrë aktive në trafikimin e narkotikëve.

“Joint Task Force Western Hemisphere kreu një goditje kinetike vdekjeprurëse ndaj një anijeje të shpejtë që operonte përgjatë rrugëve të njohura të narkotrafikut në Karaibe”, thuhet në deklaratë.
Ushtria amerikane publikoi gjithashtu pamje që duket se tregojnë momentin e goditjes. Në video shihet një anije duke lëvizur në det, përpara se një shpërthim i madh ta përfshijë atë.
Operacioni është pjesë e përpjekjeve të administratës së presidentit Donald Trump për të goditur rrjetet e trafikut të drogës në rajon.
Trump ka premtuar se do të “zhvillojë luftë” kundër karteleve të drogës, duke argumentuar se ato përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane, si dhe shkaktojnë pasoja të rënda për komunitetet në SHBA.
Në kuadër të kësaj fushate, Uashingtoni ka nisur operacionin “Southern Spear”, që synon të “ndërpresë rrjedhën e narkotikëve në hemisferën perëndimore”, përmes goditjeve ajrore ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor.
Trump ka mbështetur gjithashtu krijimin e një koalicioni të ri sigurie me vende të Amerikës Qendrore dhe Jugore, të quajtur “Shield of the Americas”, me synim forcimin e luftës kundër karteleve dhe rrjeteve të trafikut të drogës. /Telegrafi/





