Ambasadat amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme kanë lëshuar alarme sigurie për qytetarët amerikanë, pas sulmeve të rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite.
Ambasadat në Bahrein, Izrael, Irak, Jordani, Kuvajt, Liban, Oman, Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u kanë bërë thirrje amerikanëve të tregojnë “vigjilencë të shtuar”, duke paralajmëruar se situata e sigurisë mbetet komplekse dhe se konflikti mund të “përshkallëzohet me shpejtësi”.
Qytetarëve amerikanë u është kërkuar gjithashtu të jenë të përgatitur për anulime të mundshme të fluturimeve, mbyllje të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të udhëtimeve, transmeton Telegrafi.
Paralajmërimi amerikan vjen pasi Houthit, të mbështetur nga Irani, pretenduan të shtunën se kishin kryer dy operacione kundër Arabisë Saudite, duke përdorur raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë.

Sipas grupit, sulmi i parë kishte në shënjestër objekte të ndjeshme në kryeqytetin saudit, Riad, ndërsa i dyti objektet e kompanisë Aramco në Yanbu.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite konfirmoi se mbrojtja ajrore saudite kishte interceptuar një raketë balistike të lëshuar në drejtim të Riadit. Sipas tij, sulme ishin tentuar edhe ndaj Baish, Taif, Farasan dhe Yanbu.
Në Riad, banorët raportuan se kishin parë flakë dhe tym pranë aeroportit ndërkombëtar King Khalid, ndërsa pamje të publikuara në rrjetet sociale duket se tregonin një kolonë të madhe tymi. Platforma Flightradar24 raportoi ndërkohë “probleme të mëdha” në aeroport.
Tensionet janë rritur ndjeshëm që kur Houthit shpallën në korrik një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite dhe intensifikuan sulmet ndaj qyteteve dhe transportit detar.
Arabia Saudite është kundërpërgjigjur me sulme ajrore ndaj Houthive, të cilët gjatë këtij muaji kanë zgjeruar kontrollin mbi territore të konsiderueshme në Jemen.
OKB-ja ka paralajmëruar ndërkohë për pasojat humanitare. Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stéphane Dujarric, tha se Zyra për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar 110 viktima civile në 31 incidente, përfshirë 28 të vrarë dhe 82 të plagosur, në Taizz, Al Hudaydah dhe Marib.
Dujarric theksoi se pasiguria dhe kufizimet në qasje e bëjnë të vështirë verifikimin e plotë të shifrave, duke shtuar se numri real i viktimave ka shumë gjasa të jetë më i lartë.
OKB-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve dhe atyre që kanë ndikim mbi to që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për de-përshkallëzimin e konfliktit, mbrojtjen e civilëve dhe garantimin e qasjes humanitare. /Telegrafi/





