Wayne Rooney raportohet se është në bisedime të avancuara me drejtuesit e “I’m A Celebrity” për t’iu bashkuar sezonit të këtij viti, dy vite pasi bashkëshortja e tij, Coleen Rooney, mori pjesë në spektakël.
Sipas raportimeve, ish-futbollisti 40-vjeçar mund të marrë pagesën më të lartë në historinë 24-vjeçare të programit, duke kaluar edhe rekordin e Coleen, e cila në vitin 2024 u pagua 1.5 milionë funte (rreth 1.75 milionë euro). Ajo arriti deri në finale dhe përfundoi në vendin e dytë.

Wayne kishte deklaruar më herët se nuk do ta përjashtonte mundësinë për të marrë pjesë në “I’m A Celebrity”, pasi e kishte parë përvojën e bashkëshortes së tij, shkruan DailyMail.
Tani, sipas burimeve të cituara nga mediet britanike, ai është i gatshëm të provojë jetën në xhungël dhe dëshiron t’u tregojë katër djemve të tij anën e tij konkurruese.
Coleen dhe tre djemtë më të vegjël, Klay, Kit dhe Cass, mund të udhëtojnë drejt Australisë për ta mbështetur, ndërsa djali i madh, Kai, mund të qëndrojë në Britani për shkak të angazhimeve të tij në futboll dhe bursës me Manchester United.
Një burim pretendon se Coleen po e mbështet Wayne dhe i ka dhënë këshilla për përvojën në xhungël.
Megjithatë, ITV ka theksuar se çdo emër i përmendur për “I’m A Celebrity” mbetet spekulim.
Ndërkohë, familja Rooney po përgatitet edhe për dokumentarin e tyre të ardhshëm, i cili raportohet se ka një buxhet prej 10 milionë funtesh (rreth 11.7 milionë euro). /Telegrafi/





