Përparimi i shpejtë i Houthive të mbështetur nga Irani në Jemen dhe sulmet ndaj Arabisë Saudite e kanë vendosur Riadin përballë një dileme të vështirë: të përgjigjet ushtarakisht dhe të rrezikojë një luftë të gjerë, ose të shmangë përshkallëzimin dhe të lejojë që kundërshtari të forcohet.
Ekspertët thonë se mesazhi kryesor që po përcillet nga Arabia Saudite është se mbretëria nuk dëshiron një luftë totale. Megjithatë, sjellja gjithnjë e më agresive e Houthive mund ta tërheqë Riadin në një konflikt shumë më të gjerë.
“Të gjitha shenjat tani tregojnë drejt një hakmarrjeje të përmasave të mëdha nga Arabia Saudite dhe kjo mundësi po rritet çdo ditë”, tha për CNN, Mohammed Al-Basha, ekspert për Jemenin dhe këshilltar për rrezikun me bazë në Washington.
“Në këtë pikë, ata nuk kanë një mundësi tjetër”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.
Këtë javë, rebelët Houthi morën kontrollin e ishullit strategjik Perim, në hyrje të Detit të Kuq, si dhe të qytetit-port Mocha, në kuadër të përpjekjeve për të kontrolluar ngushticën Bab al-Mandeb – një nga rrugët më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.
Pak më vonë, një nga arteriet kryesore të eksportit të naftës së Arabisë Saudite u mbyll pas një sulmi me dronë të ardhur nga Iraku.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar Teheranin, duke iu referuar edhe pranisë së grupeve të armatosura të lidhura me Iranin në Irak.
Arabia Saudite ka rritur përdorimin e tubacionit East-West, pasi lufta me Iranin ka bërë që Ngushtica e Hormuzit të mbyllet praktikisht. Përmes këtij tubacioni po ridrejtohen rreth 5 milionë fuçi naftë në ditë, të cilat në kushte normale do të transportoheshin nga Gjiri Persik.
Kjo ka shtuar shqetësimet e Riadit se mund të përballet me sulme të koordinuara nga milicitë irakiane të lidhura me Iranin dhe Houthit.
Në pamje të parë, konflikti duket si një përballje e pabarabartë: në njërën anë Arabia Saudite, një nga shtetet më të pasura të botës me një ushtri moderne dhe të pajisur mirë, dhe në anën tjetër Houthit, një grup rebel që vepron nga Jemeni i varfër.
Por Houthit kanë dëshmuar se janë jashtëzakonisht të vështirë për t’u mposhtur.
Të konsideruar nga Perëndimi dhe disa vende të Gjirit si një grup i mbështetur nga Irani, Houthit kanë kaluar vite duke zhvilluar kapacitetet dhe taktikat e tyre ushtarake.
Grupi fitoi mbështetje në disa pjesë të Lindjes së Mesme pasi nisi sulme ndaj Izraelit pas luftës në Gaza, e cila shpërtheu pas sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Megjithatë, Houthit kanë edhe agjendën e tyre. Kërkesa e tyre kryesore ndaj Arabisë Saudite mbetet heqja e përpjekjeve për izolimin e zonave të mëdha të Jemenit verior që kontrollohen prej tyre, përfshirë bllokadën ekonomike dhe kufizimet në lëvizje.
Nasr al-Din Amer, drejtues i agjencisë shtetërore të lajmeve Saba, e kontrolluar nga Houthit, tha se grupi do të vazhdojë “presionin” ndaj Arabisë Saudite derisa Riadi të “thyejë rrethimin e padrejtë” që, sipas tij, i është imponuar Houthive prej 12 vitesh.
Deklarata sinjalizon se rebelët janë të gatshëm të vazhdojnë përshkallëzimin.
Jemeni u zhyt në kaos në vitin 2014, kur Houthit morën kontrollin e kryeqytetit Sana’a dhe detyruan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të largohej nga vendi.
Një vit më pas, Arabia Saudite udhëhoqi një fushatë ushtarake për t’i zmbrapsur rebelët dhe vazhdoi të mbështeste qeverinë e njohur ndërkombëtarisht, ndërsa ruajti bllokadën ndaj zonave të kontrolluara nga Houthit.
Në anën tjetër, Irani u ka siguruar Houthive armë dhe trajnim, duke ushtruar ndikim mbi vendimmarrjen e grupit.
Pavarësisht humbjeve territoriale, Arabia Saudite ende nuk është përgjigjur me të gjithë fuqinë e saj. Por çdo vendim që Riadi merr në ditët e ardhshme mund të përcaktojë nëse konflikti rikthehet në një luftë të plotë.
Cinzia Bianco, bashkëpunëtore në European Council on Foreign Relations, tha se Arabia Saudite ka “mundësi shumë të kufizuara”.
Një prej tyre është përshkallëzimi ushtarak. Por një ofensivë e plotë mund ta shndërrojë konfliktin në një luftë pa fund, të ngjashme me luftën civile shkatërruese të Jemenit.
Kjo luftë e ka kthyer Jemenin në një nga krizat më të rënda humanitare në botë, me rreth 22 milionë njerëz, ose afërsisht gjysmën e popullsisë, që kanë nevojë për ndihmë humanitare.
Një luftë e drejtpërdrejtë mes Arabisë Saudite dhe Houthive do të mund të përfshinte edhe Iranin, i cili aktualisht është në konflikt me SHBA-në.
“Do të ishte e vështirë ta kufizoje konfliktin vetëm në një situatë jemenase dhe të mos e shihje si një kapitull të luftës më të gjerë SHBA-Iran, ku Arabia Saudite do të hynte tashmë si palë ndërluftuese në krah të SHBA-së”, tha Bianco.
Sipas ekspertëve, SHBA-ja nuk ka gjasa të ndërhyjë drejtpërdrejt ushtarakisht kundër Houthive, veçanërisht në një kohë kur kriza në Hormuz vazhdon dhe Washingtoni përballet me zgjedhjet afatmesme dhe debatet e brendshme për përdorimin e burimeve amerikane në Lindjen e Mesme.
“Trump nuk është në pozicionin për të rritur angazhimin në rajon në këtë moment politik”, tha Bianco.
Sipas burimeve të CNN, princi i kurorës saudite ka zhvilluar dy biseda me Trumpin të enjten dhe i ka kërkuar SHBA-së të godasë Houthit ndërsa ata avanconin drejt Detit të Kuq. Trump, megjithatë, nuk pranoi.
Presidenti amerikan tha ndërkohë se Houthit kishin kontaktuar administratën e tij dhe kishin shprehur dëshirën që SHBA-ja të mos përfshihej drejtpërdrejt.
Megjithatë, SHBA-ja ka dërguar rreth 100 këshilltarë ushtarakë në Arabinë Saudite për të ofruar inteligjencë në fushatën e saj kundër Houthive.
Nawaf Obaid, bashkëpunëtor i lartë në Department of War Studies në King’s College London dhe ish-këshilltar i qeverisë saudite, tha se kërkesa e Riadit nuk kishte qenë për sulme ajrore amerikane, por për mbështetje informative.
Sipas tij, kjo mbështetje deri tani ka qenë e kufizuar.
Një tjetër mundësi për Riadin do të ishte gjetja e një zgjidhjeje politike. Por edhe kjo rrugë mund të jetë duke u mbyllur.
Gjatë muajve të fundit, Arabia Saudite ka ndjekur atë që ekspertët e përshkruajnë si “durim strategjik”, duke paralajmëruar vazhdimisht Houthit dhe Iranin dhe duke dënuar veprimet e tyre.
Pas sulmit ndaj tubacionit East-West, Ministria e Jashtme saudite tha se mbretëria kishte zgjedhur të mos përgjigjej menjëherë dhe të mbështeste përpjekjet e qeverisë irakiane, nga territori i së cilës besohet se ishte kryer sulmi.
Megjithatë, Riadi paralajmëroi se rezervon të drejtën të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur sovranitetin e tij.
Bianco tha se Arabia Saudite tashmë i ka “shteruar zgjidhjet politike”.
Edhe një marrëveshje me Houthit do të kishte një çmim të lartë. Al-Basha tha se një marrëveshje e tillë ka gjasa të nënkuptojë pranimin e kërkesave të rebelëve.
“Është një dorëzim shumë i shtrenjtë. Në thelb është kapitullim”, tha ai.
Nuk është e qartë se kur Arabia Saudite do të ndërmarrë hakmarrjen e radhës, por pasojat mund të shtrihen shumë përtej kufijve të Jemenit dhe Arabisë Saudite.
Salman Al-Ansari, analist saudit i çështjeve gjeopolitike, tha se fushata ushtarake e qeverisë jemenase kundër Houthive, e mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, tashmë ka nisur dhe pritet të intensifikohet ndjeshëm në ditët, madje edhe në orët e ardhshme.
Ai paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë “surpriza të mëdha në disa fronte”.
Megjithatë, sipas Al-Ansarit, Arabia Saudite nuk do të nisë një luftë totale pa “mbështetje të fortë, të qëndrueshme dhe të qartë ndërkombëtare”.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar ka bërë një “gabim serioz” duke mos i marrë parasysh paralajmërimet e mëparshme të Arabisë Saudite dhe qeverisë jemenase për Houthit.
Por ekspertë të tjerë vlerësojnë se nëse Houthit vazhdojnë përshkallëzimin, Riadi mund të mos ketë më mundësi të qëndrojë jashtë luftës.
“Sauditët janë nën sulm nga Houthit dhe nga Rezistenca Islamike e Irakut – nuk ke një mundësi tjetër. Do të urreja të isha në vendin e tyre”, tha Al-Basha. /Telegrafi/






