Më shumë se një e treta e amerikanëve nuk janë në gjendje t’i përmendin të tria degët e pushtetit, ka treguar një hulumtim mbi edukimin qytetar, i realizuar në kuadër të Annenberg Constitution Day Civics Survey për vitin 2026.
Njohja e mënyrës se si funksionon pushteti dhe e të drejtave që mbrohen nga Kushtetuta u jep amerikanëve njohuritë themelore qytetare të nevojshme për të kuptuar të drejtat e tyre.

“Padituria ka një çmim. Nuk mund t’i mbroni dhe vlerësoni të drejtat për të cilat nuk e dini se i keni”, tha Kathleen Hall Jamieson, drejtoreshë emeritus e Annenberg Public Policy Center, duke komentuar rezultatet e hulumtimit.
Sondazhi kombëtar tregoi se 65 për qind e amerikanëve të rritur mund t’i përmendin pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor.
Ndërkaq, 35 për qind nuk ishin në gjendje t’i përmendnin të tria: 11 për qind përmendën dy pushtete, 8 për qind vetëm një, ndërsa 16 për qind nuk mundën të përmendnin asnjërën.
Amerikanët patën vështirësi edhe në identifikimin e pesë të drejtave të garantuara me Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA-së. Vetëm 9 për qind e të anketuarve i përmendën të pesë të drejtat, ndërsa 24 për qind nuk mundën të përmendnin asnjërën prej tyre.
Çdo i katërti i anketuar përmendi gabimisht të drejtën për posedimin dhe mbajtjen e armëve, e cila mbrohet nga Amendamenti i Dytë.
Hulumtimi u krye nga 6 deri më 9 gusht, me pjesëmarrjen e 1,034 qytetarëve të rritur të SHBA-së. Marzhi i gabimit ishte 3.5 pikë përqindjeje. Nga Annenberg theksuan se të dhënat për vitet 2024 dhe 2025 u mblodhën përmes paneleve të ndryshme, gjë që kufizon mundësinë e krahasimit të drejtpërdrejtë të rezultateve nga një vit në tjetrin. /Telegrafi/





