“Për 10 vite”, Kylian Mbappe rrëfen në detaje prapaskenat e kalimit te Real Madridi

Sport

Kylian Mbappe ka zbuluar se ka mbajtur kontakte me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, për 10 vjet para se të transferohej përfundimisht në Santiago Bernabeu. Sulmuesi francez i dha fund një prej sagave më të gjata të futbollit kur iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2024, pas përfundimit të kontratës me Paris […]

Madhësia e shkronjave

Kylian Mbappe ka zbuluar se ka mbajtur kontakte me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, për 10 vjet para se të transferohej përfundimisht në Santiago Bernabeu.

Sulmuesi francez i dha fund një prej sagave më të gjata të futbollit kur iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2024, pas përfundimit të kontratës me Paris Saint-Germain.

Dy vite më herët, Mbappe kishte refuzuar ofertat nga Spanja dhe kishte rinovuar kontratën me PSG-në, duke e shtyrë edhe më tej transferimin e shumëpërfolur në Madrid.

Megjithatë, interesi i Real Madridit për të kishte nisur shumë më herët, që nga vitet e tij të adoleshencës. Në atë kohë, Mbappe zgjodhi të vazhdonte zhvillimin në akademinë e Monacos, pavarësisht interesimit të klubit madrilen.

Perez nuk hoqi dorë nga ideja për ta transferuar francezin dhe, sipas Mbappes, presidenti i Real Madridit ishte një prej faktorëve kryesorë që marrëveshja u realizua përfundimisht.

“Është ai që më solli këtu. Kemi qëndruar në kontakt për 10 vjet para se të vija këtu”.

“Ai gjithmonë më ka treguar afeksion dhe mirëkuptim, pavarësisht çdo vendimi që është marrë, qoftë pozitiv apo negativ për Real Madridin.

“Ai gjithmonë më thoshte se një ditë do të luaja për Real Madridin dhe ja ku jam, shumë i lumtur. Prandaj duhet ta falënderoj për gjithçka që ka bërë dhe vazhdon të bëjë për mua. Ai është presidenti më i mirë në botë”, deklaroi Mbappe për AS.

Edhe pse ende është në pritje të trofeut të tij të parë të madh ekipor me Real Madridin, Mbappe ka përmbushur pritshmëritë në aspektin individual.

Francezi ka fituar dy herë radhazi trofeun Pichichi dhe deri tani ka shënuar 94 gola në 110 paraqitje me klubin madrilen.

Pavarësisht sagës që zgjati një dekadë, Mbappe ka insistuar se në mendjen e tij nuk kishte asnjë dyshim për transferimin në Real Madrid dhe se arsyeja pse nuk ndodhi më herët ishte vetëm çështja e momentit të duhur.

“Të jem i sinqertë, askush dhe asgjë nuk duhet t’ju bindë që të vini te Real Madridi.

“Në historinë time me Real Madridin, unë doja të vija, por nuk ishte e mundur. Në fund, në futboll ka momente dhe vendime që janë përtej kontrollit tuaj. Në futboll, koha është kyçe dhe duhet të prisni derisa gjithçka të jetë në vendin e duhur.

“Të gjithë ata që ishin pranë meje e dinin se në një moment do të doja të shkoja te Real Madridi. Nuk kishte asnjë dyshim se doja të vija, por ndonjëherë, kur diçka nuk është e mundur, nuk mund ta shmangësh dhe duhet ta pranosh.

“Sigurisht që ka zhgënjim, por jeta e një futbollisti ka të bëjë me të ardhmen, jo me të kaluarën. Askush nuk duhej të më bindte të vija te Real Madridi, madje as Florentino Perez. Ishte e qartë”./Telegrafi/