Në vend të kësaj, kufizojeni ligjërisht dhe luftojeni politikisht. Bota po vështron
Nga: The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Partitë populiste nacionaliste të së djathtës ekstreme po marrin epërsinë kudo, nga Uashingtoni deri në Varshavë. Atëherë, përse të alarmohemi kaq shumë për një fitore të vogël zgjedhore rajonale të njërës prej këtyre partive, Alternative für Deutschland [AfD – Alternativa për Gjermaninë], në një land të vetëm federal, në Saksoni-Anhalt? “Sepse është Gjermania”! – është përgjigjja pothuajse instinktive në mendjet e shumë njerëzve në mbarë botën.
Por, kjo “sepse është Gjermania” duhet të zbërthehet, si fetat e një portokalli. Po, për shkak të Adolf Hitlerit, dy diktaturave (Gjermania naziste deri më 1945, Gjermania Lindore e sunduar nga komunistët deri më 1989) dhe dy luftërave botërore. Dhe, po, një pjesë e gjuhës së përdorur nga AfD-ja do t’i shkaktojë rrëqethje kujtdo që e njeh retorikën naziste.
Pastaj, është fakti se Gjermania është fuqia qendrore e Evropës. Bashkëdrejtuesja kombëtare e AfD-së, Alice Weidel, thotë se kur partia e saj do të hyjë në qeveri pas zgjedhjeve federale të planifikuara për vitin 2029, Gjermania do ta braktisë euron dhe do të largohet nga zona Shengen e udhëtimit pa kontrolle kufitare. Çfarë do të mbetej atëherë nga BE-ja?
Mendimtari i madh liberal gjerman i çështjeve shoqërore dhe politike, Ralf Dahrendorf – i cili vdiq në vitin 2009 – më tha më shumë se një herë se do të ndihej vërtet i sigurt për qëndrueshmërinë e demokracisë gjermane vetëm kur ajo t’i kishte bërë ballë provës së një krize të madhe ekonomike. Epo, vendi tani është afër kësaj.
Pjesa e fundit e “sepse është Gjermania” është ndoshta më interesantja. I gjithë sistemi kushtetues, politik dhe arsimor i republikës federale është projektuar për të parandaluar diçka të ngjashme me rrëzimin e Republikës së Vajmarit në diktaturën e Hitlerit në vitin 1933. Republika federale duhet të jetë një wehrhafte Demokratie – një demokraci e aftë për ta mbrojtur veten.
Pra, mënyra se si Gjermania do ta mbrojë demokracinë e saj është një çështje jo vetëm me rëndësi evropiane, por edhe globale. Duke parë të gjitha zgjidhjet që po shqyrtohen me vrull në Berlin, mendoj se formula më bindëse është kjo: as të mos ndalohet AfD-ja, as të mos mbështetet, por në vend të kësaj të kufizohet ligjërisht dhe të luftohet politikisht.
Kushtetuta gjermane parashikon që mund të ndalohen partitë politike që janë “armiqësore” ndaj parimeve të saj themelore liberal-demokratike. Politikanë të lartë gjermanë kanë bërë thirrje që t’i paraqitet Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për ndalimin e AfD-së – ose të paktën të pjesëve të saj më ekstreme – mbi këto baza. Por, tashmë është tepër vonë për këtë. AfD-ja ka qenë forcë e madhe në Bundestag që prej suksesit të saj (pas krizës së migracionit) në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 dhe, ashtu si Reform UK në Britani, ka kryesuar në rang kombëtar në sondazhet e opinionit. T’u thuash papritur kaq shumë qytetarëve “nuk ju lejohet të votoni për partinë që mbështetni” do të ishte në vetvete një sulm ndaj demokracisë.
Por, kjo nuk është demokraci si tirani e shumicës: populli ka folur, ra koka jote! Është demokraci liberale, që do të thotë se rezultati i çdo votimi popullor kufizohet nga sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, si dhe nga institucionet pluraliste, anti-shumicë. Kërcënimet e vërteta ndaj demokracisë gjermane sot i ngjajnë më pak Vajmarit të vitit 1933 sesa Budapestit të vitit 2010 (kur Viktor Orbán mori pushtetin) dhe Uashingtonit të vitit 2025. Mini-Donald Trumpët e AfD-së thuhet se kanë shqyrtuar në heshtje mjete ekzekutive dhe administrative të ngjashme me ato të Trumpit, të cilat mund t’i përdorin për të konsoliduar kontrollin e tyre. Republika Federale e Gjermanisë ka të drejtën, fuqinë dhe detyrën t’i ndalojë.
Neni 37 i Kushtetutës, i cili u lejon autoriteteve federale të anashkalojnë veprimet antikushtetuese të landeve, nuk është përdorur kurrë në historinë 77-vjeçare të republikës. Duke supozuar – siç duket tani e mundshme – se AfD-ja formon qeverinë e landit në Saksoni-Anhalt, të gjitha kompetencat federale, deri te neni 37 dhe duke e përfshirë atë, duhet të përdoren kudo që është e nevojshme. Për shembull, ato duhet të parandalojnë që informacione të ndjeshme të inteligjencës për agresionin në rritje të Rusisë t’i jepen një dege të shërbimit të brendshëm të sigurisë në Saksoni-Anhalt, të kontrolluar nga AfD-ja proruse; të sigurojnë pavarësinë e gjykatave dhe prokurorëve, si dhe neutralitetin e policisë dhe të shërbimit civil; dhe, do të shtoja, të ndalojnë çdo politizim ekstrem të arsimit dhe transmetuesve të shërbimit publik. Natyrisht, politikanët e AfD-së do të thërrasin “padrejtësi”; le të ankohen. Nëse, siç thonë, duan “një republikë tjetër”, mund të shkojnë të jetojnë në Rusi.
Megjithatë, edhe më e rëndësishme se këto kufizime ligjore dhe administrative është përgjigjja politike. Në skajin e kundërt nga ata që bëjnë thirrje për ndalimin e partisë janë kristiandemokratët të cilët kërkojnë braktisjen e “murit mbrojtës” dhe pranimin e politikanëve të AfD-së si pjesë e procesit normal politik. Argumenti është se, duke i lënë të marrin përgjegjësi në një qeveri landi, do të dalin në pah mungesa e koherencës, paaftësia dhe mungesa e përgjigjeve reale politike të tyre.
Të bisedosh dhe të punosh me ta, në fund, do t’i moderonte – siç duket se ndodhi me Vëllezërit e Italisë të Giorgia Melonit. Edhe unë jam tunduar nga këto argumente. Por, dëshmitë e mbledhura nga politologët sugjerojnë se një strategji përfshirjeje ka po aq gjasa t’u japë më shumë hov nacionalistëve. Dhe, vetë aktivistët e AfD-së po paralajmërojnë për rrezikun e Melonisierung-ut (“melonizimit”).
Prandaj, kristiandemokratët nuk duhet të tundohen të futen gjysmë në shtrat me AfD-në, si një burrë i moshës së mesme që hyn me ngurrim në një lidhje jashtëmartesore. Në vend të kësaj, duke filluar nga kjo fundjavë – me zgjedhjet në Meklenburg-Vorpomern dhe Berlin – ata duhet ta luftojnë atë në mënyrë më efektive, politikisht. Në vend që ta përkufizojnë Demokracinë Kristiane nga ajo që kundërshton (AfD-në dhe të majtën ekstreme Linke), duhet të thonë se çfarë mbështet. Për ta ripërtërirë ekonominë sociale të tregut të Gjermanisë ata duhet të zbatojnë të gjitha reformat e tregut të punës, pensioneve, taksave dhe reformat e tjera të dakorduara këtë verë me partnerët e tyre të koalicionit socialdemokrat – dhe të tjera përtej tyre. Përballë sfidave të mëdha të jashtme, nga agresioni rus e deri te IA-ja [inteligjenca artificiale] amerikane dhe kineze, kristiandemokratët – historikisht partia e Evropës – duhet të mbrojnë me guxim zgjidhjet në shkallë evropiane të cilat do t’i japin çdo vendi evropian forcën për t’u bërë ballë gjigantëve.
Por, përveç IA-së, partive kryesore të Gjermanisë u nevojitet goxha shumë edhe IE-ja (inteligjenca emocionale). Çelësi i suksesit të Ulrich Siegmundit të AfD-së në Saksoni-Anhalt, ashtu si te Trumpi dhe Nigel Farage i Britanisë, është një lloj komunikimi emocional. Unë jam këtu me ju; ju dëgjoj dhe ju shoh; e ndaj me ju zemërimin tuaj. Me mua mund të thoni atë që mendoni vërtet dhe të jeni vetvetja, sepse – pavarësisht nëse jam apo jo milioner – thellë-thellë jam një njeri i zakonshëm si ju. Prandaj, le të pimë të gjithë nga një birrë dhe të marshojmë përpara drejt një të kaluare të imagjinuar.
Është interesante të rilexosh artikullin me ndikim të vitit 1937 të politologut gjerman në mërgim, Karl Loewenstein – mbi “demokracinë militante” – dhe ta gjesh atë duke këmbëngulur se demokracia nuk mund “të hartojë formula emocionale të afta për të konkurruar me Fyelltarët fashistë të Hamelinit”. Prej këtej vjen theksi te kufizimet kushtetuese. Por, në mjedisin tonë të transformuar të informacionit, me rëndësinë që i jep vëmendjes, dramës dhe pasionit, demokracia nuk mund të mbrohet thjesht me kufizime ligjore dhe politika racionale. Demokratët kudo duhet të konkurrojnë me Fyelltarët e sotëm të Hamelinit edhe në planin emocional. Prania e vazhdueshme në mediat sociale dhe prania fizike në terren janë që të dyja esenciale.
Kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, dhe deri diku ai i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, kanë treguar se si mund të bëhet kjo. Prandaj, tani shumëçka do të varet nga demokratët gjermanë, dhe sidomos nga kristiandemokratët, që të dëshmojnë se mund të bëjnë të njëjtën gjë. /Telegrafi/






