“Vera bëhet nga rrushi që ke në dispozicion” – Capello i jep një mësim Amorimit

Sport

Fabio Capello i ka dhënë një këshillë të drejtpërdrejtë Rúben Amorimit pas humbjes së Milanit ndaj Benficas në Ligën e Evropës, duke përdorur një metaforë për të shpjeguar problemet e skuadrës italiane. Milani pësoi humbjen e parë nën drejtimin e trajnerit portugez, pasi u mposht në shtëpi nga Benfica në debutimin e tij në Ligën […]

Madhësia e shkronjave

Fabio Capello i ka dhënë një këshillë të drejtpërdrejtë Rúben Amorimit pas humbjes së Milanit ndaj Benficas në Ligën e Evropës, duke përdorur një metaforë për të shpjeguar problemet e skuadrës italiane.

Milani pësoi humbjen e parë nën drejtimin e trajnerit portugez, pasi u mposht në shtëpi nga Benfica në debutimin e tij në Ligën e Evropës. Golat e Lukebakios dhe Kaminskit i dhanë fitoren skuadrës portugeze, ndërsa pas ndeshjes puna e Amorimit u analizua në studion e “Sky Sport”.

Në emisionin televiziv, analistët Alessandro Costacurta, Paolo Di Canio, Alessandro Florenzi dhe Paolo Condò diskutuan për paraqitjen e Milanit dhe mënyrën se si Amorim po e ndërton skuadrën.

Në debat u përfshi edhe ish-trajneri i njohur Fabio Capello, i cili ia drejtoi Amorimit një pyetje të drejtpërdrejtë për mënyrën se si po e menaxhon skuadrën.

“Pse mendoni për sulmin dhe jo për mbrojtjen, e cila është plotësisht bosh?”, e pyeti Capello trajnerin portugez.

Amorim e pranoi se skuadra ka nevojë për përmirësime dhe se mund të ketë nevojë edhe për ndryshime taktike.

“Ndonjëherë duhet të filloj nga bazat. Kemi punuar vetëm për dy muaj. Humbëm sot, por do të kërkojmë mënyra për të ndryshuar diçka. Është mirë të kesh bazat në punë, por në fund të ditës duhet të japim rezultate”, u përgjigj Amorim.

Pas përgjigjes së Amorimit, Capello përdori një metaforë të njohur për të përshkruar situatën me të cilën përballet trajneri i Milanit.

“Kam një shprehje të vjetër që e përsëris vazhdimisht: duhet të dish si të bësh verë nga rrushi që ke në dispozicion. Në varësi të cilësisë së rrushit, bën verën e duhur”, tha Capello.

Më pas, ish-trajneri italian e bëri edhe më të qartë mesazhin e tij për Amorimin.

“Por nëse gjithmonë dëshiron të bësh shampanjë, dhe rrushi që ke nuk është për të, rezultati do të jetë pikërisht ai që pamë sot”, përfundoi Capello.

Mesazhi i tij lidhet me idenë se një trajner duhet ta përshtatë mënyrën e lojës me karakteristikat dhe cilësitë e futbollistëve që ka në dispozicion, në vend që t’i kërkojë skuadrës të luajë një futboll për të cilin ajo nuk i ka të gjitha mjetet e nevojshme. /Telegrafi/