Fuqia fatale e lajmit të rrejshëm

opinion

Nga Maroku i sotëm në pazarin e Prishtinës gjatë Perandorisë Osmane: lajmi i rrejshëm shpesh është më i fuqishëm se e vërteta. Prandaj duhet të luftohet. Dhe lufta fillon në shkollat fillore. Vetëm qytetarët që dinë të bëjnë dallimin mes lajmit të rrejshëm dhe lajmit të vërtetë mund të jenë edhe shtetas të përgjegjshëm. Nuk […]

Madhësia e shkronjave

Nga Maroku i sotëm në pazarin e Prishtinës gjatë Perandorisë Osmane: lajmi i rrejshëm shpesh është më i fuqishëm se e vërteta. Prandaj duhet të luftohet. Dhe lufta fillon në shkollat fillore. Vetëm qytetarët që dinë të bëjnë dallimin mes lajmit të rrejshëm dhe lajmit të vërtetë mund të jenë edhe shtetas të përgjegjshëm.

Nuk dihet kush e nisi, por ditëve të fundit në Marok u përhap lajmi nëpër media sociale se nëse futesh nga deti duke notuar në eksklavën spanjolle Ceuta, atëherë Spanja është e detyruar të trajtojë kërkesën për azil. Kaq e thjeshtë nuk është, ndonëse një vendim i drejtësisë në Spanjë sugjeroi diçka të tillë dhe ndezi fantazinë e mijëra njerëzve në Marok, të cilët kanë vetëm një qëllim: të ikin nga vendi i tyre për shkak të mungesës së perspektivës. Rezultati i lajmit të rrejshëm mund të jenë deri në 200 të vdekur! Të konfirmuar deri më tani janë 72 viktima.

I paqartë mbetet roli i forcave marokene të sigurisë. Pse ato nuk penguan “stuhinë” e 60 mijë njerëzve drejt Ceutës? Revista gjermane “Der Spiegel” citon një migrant, i cili thotë se forcat e sigurisë të Marokut u kanë treguar migrantëve rrugën për në plazh. Sipas këtij versioni, nga plazhi migrantët shikuan në anën tjetër, në eksklavën spanjolle, dhe pastaj u futën në ujë. Një migrant tjetër raportohet se ka thënë se ishte rrahur nga forcat e sigurisë marokene, që të vazhdonte rrugën drejt Spanjës.

Lajmi i rrejshëm – vret. Dhe kjo ka pasoja, siç raporton “Financial Times” nga Maroku: “Amina Saadoun e kaloi të shtunën në rrugën nga Ceuta për në Marok, duke i treguar secilit migrant që kthehej e kalonte pranë saj një fotografi të vogël të vëllait të saj 15-vjeçar. ‘A e keni parë këtë djalë? Është vëllai im, e kam rritur si djalin tim’, pyeste ajo.

Deri të dielën, numri i viktimave nga kalimi masiv drejt eksklavës spanjolle ishte rritur në 72 persona, sipas autoriteteve spanjolle, duke i lënë familjet marokene të shkatërruara nga dhimbja ose të tmerruara nga frika se fëmijët e tyre mund të ishin mes të vdekurve”.

Vëllai i Saadounit, Mohamedi, u largua nga shtëpia të enjten në mëngjes, duke iu bashkuar rreth 60 mijë të tjerëve që vërshuan drejt Ceutës spanjolle. „Nuk e di nëse është i gjallë apo i vdekur,“ tha ajo duke shpërthyer në lot.

Ngjarjet në Ceuta të kujtojnë një ndodhi tjetër në Prishtinën e sunduar nga Perandoria Osmane para gati 120 viteve. Edhe atëherë lajmi i rrejshëm pati efekt të madh. Më 13 prill 1910 konsulli austro-hungarez në Mitrovicë, Ladislaus Tahy von Tahar, raportonte për një kryengritje në rajonin e Llapit përreth Prishtinës. Në pazarin e Prishtinës ishte përhapur fjala se tani e tutje shqiptarët që sjellin pula e ve për t’i shitur, duhet të paguajnë një tatim të ri. Dikush ia kishte ngjitur një pule një fletë në krah me njoftimin se ky “bidat” (kjo risi) sapo kishte hyrë në fuqi.

Konsulli Ladislaus Tahy von Tahar supozonte se ai që e kishte përhapur këtë thashetheme në pazarin e Prishtinës, e dinte se shqiptarët do të protestonin kundër tatimit të ri. Pasi dëgjoi për tatimin e ri, një shitës shqiptar i hodhi përtokë vezët, u kthye në fshatin e tij, ku dha lajmin për tatimin e ri. Ndërkohë emisarët e nxitësit të trazirave për ta acaruar edhe më shumë popullin dhe nxitur fanatizmin, përhapën lajmin e rrejshëm se tani e tutje madje secili burrë duhet të paguajë tatim për mjekër.

Shqiptarët, shkruan konsulli austriak nga Mitrovica, u tubuan, ua ndaluan organeve qeveritare të hyjnë në territorin e tyre dhe penguan vizitat në pazarin e Prishtinës. Komandanti i Prishtinës Shefki Pasha negocioi me të zemëruarit, por kur ata e panë numrin e vogël të trupave osmane, shpallën kërkesa të tjera si largimin e oficerëve që ndiqnin shkollën ushtarake, zëvendësimin e tyre me nënoficerë, heqjen dorë nga ndërtimi i karakollëve për xhandarmëri, pezullimin e vendimeve të reja dhe të kushtetutës dhe kthimin e gjendjes së mëparshme – “katër tatimet e vjetra dhe sheriatin”.

Më 4 dhe 5 prill 1910 shpërthyen trazira e përleshje, me ç’rast trupat osmane humbën një top, 48 pushkë dhe municion, 2 oficerë dhe 9 ushtarë ranë në duart e shqiptarëve. Trupat osmane humbën 17 veta, 22 u plagosën. Për humbjet e shqiptarëve nuk ka informacion, shkruan konsulli. Mes 6 dhe 10 prill luftimet pushuan, trupat osmane u përforcuan, numri i shqiptarëve u rrit në gati 10 mijë. Më datën 11 prill në mbrëmje shqiptarët deklaruan se heqin dorë nga luftimet dhe u tërhoqën në fshatrat e tyre. Ata e kthyen topin dhe pushkët që ua kishin marrë trupave osmane. I liruan edhe pengjet. Konsulli raportonte se në fshatin Barilevë po qëndronin të gatshëm 2000 shqiptarë për të rifilluar luftimet nëse qeveria ndërmerr masa të ashpra represive. Në raport thuhet se ishin arrestuar dhjetë prijës të shqiptarëve, por atyre u ishte premtuar se do të liroheshin nëse tregojnë se kush është nxitësi i protestave. Hetimet po zhvillohen me ngulm, por deri më tani nuk janë zbuluar gjurmët e nxitësit, i cili veproi në mënyrë aq të shkathtë, njoftonte konsulli. Ai supozonte se ka të ngjarë që pas trazirave qëndrojnë bejlerët reaksionarë, të cilët synonin kthimin e gjendjes së mëparshme, kur s’kishin asnjë kufizim dhe nuk pengoheshin nga qeveria.

Konsulli ankohej po ashtu se korrespondentët nga Shkupi e Selaniku po botonin në gazetat austriake dhe hungareze lajme të rreme për zhvillimet në Kosovë. “Neue Freie Presse” fajësohej se botonte telegrame me fantazira. Kësisoj, kjo gazetë botoi lajmin se kryengritësit shqiptarë paskëshin ngritur flamurin austro-hungarez. Sipas konsullit, shqiptarët e interpretonin këtë si dëshirë të Austrisë për të aneksuar Shqipërinë – “një dëshirë që e bart era”. Më 24 mars 1910 gazeta “Politika” e Beogradit në stilin e saj të vjetër botoi një telegram nga Kurshumlia, sipas të cilit në kryengritjen e shqiptarëve ka gisht “konsulli austriak në Mitrovicë, gjë që së shpejti do të ndriçohet nga autoritetet turke”. Këto njoftime konsulli Ladislaus Tahy von Tahar i quante shpifje dhe njoftonte se qëllimi i tij ishte që të bashkëpunonte në mënyrë korrekte me palën osmane në Kosovë.

Domethënë: një lajm i rrejshëm dhe një fletë e ngjitur në krahun e një pule ndezën pothuaj një luftë.

Tragjedia në Ceuta të kujton edhe një episod tjetër nga Kosova e sunduar nga osmanët, siç dëshmohet në punimin shkencor të historianes Eva Anne Frantz. Aty tregohet se si banorët e Prishtinës në fund të shekullit të 19-të e shihnin stacionin hekurudhor si “vepër të dreqit”.

Eva Anne Frantz shkruan: “U ndërtuan vija hekurudhore dhe më 1874 u hap linja Selanik–Shkup–Mitrovicë. Popullsia lokale në fillim e kundërshtoi me këmbëngulje ndërtimin e hekurudhës, por në vitet vijuese ky qëndrim ndryshoi.

Kështu, siç konstatonte (diplomati austriak Theodor Ippen), në fund të shekulli XIX, stacioni hekurudhor i Prishtinës ishte e mundshme të ndërtohej 7 kilometra larg qytetit, sepse […] atëbotë banorët e Prishtinës, që nuk ishin aspak të hapur dhe trembeshin nga kultura, donin ta kishin sa më larg vetes atë ‘vepër’ moderne ‘të dreqit’, derisa tani pandërprerë luten që stacioni të vendoset në një vend më të përshtatshëm”.

Në këtë kontekst ka edhe një histori tjetër nga viti 1908, sipas raporteve konsullore austriake: Më 8 korrik 1908 zyrtari austro-hungarez Adolf Ritter von Zambaur shkruante nga Mitrovica se “lëvizja e re e arnautëve” (shqiptarëve) në qarkun e Prishtinës ishte e drejtuar kundër vizitës (ekskursionit) të shkollës gjermane të Selanikut në trevën e Prishtinës. Vizita ishte planifikuar për datën 5 korrik 1908.

Zambaur raportonte se që më 4 korrik trupa të shqiptarëve u tubuan afër vijës hekurudhore mes Ferizajt dhe Kaçanikut me qëllim që ta ndalin trenin special me pjesëmarrësit e ekskursionit. Kur u bë e ditur se treni nuk do të qarkullonte, shqiptarët e përmendur, të përkrahur nga njerëz të tjerë nga kazaja e Prishtinës, shkuan te vendi ku ishte planifikuar të vendoseshin mysafirët nga Selaniku, një mal që gjendej tri kilometra në veri të Ferizajt, dhe aty e lidhën rojtarin e hekurudhës dhe shkatërruan ulëset dhe tavolinat e bëra gati. Kur materialit prej dërrasave iu vu zjarri, keqbërësit (vlerësohet se ishin 3000, por minimum ishin 1000) deshën të depërtojnë në Ferizaj, por kjo u pengua nga gjenerali Shemsi Pasha, që erdhi nga Prizreni në Ferizaj, dhe nga kajmekami Ismail Fevzi Pasha.

Diplomati austro-hungarez Adolf Ritter von Zambaur shkruante se arsyet e kundërshtimit të vizitës së shkollës gjermane në Kosovë kishin të bënin me urrejtjen latente të shqiptarëve kundër të huajve dhe kjo urrejtje në rastin konkret u nxit nga elementet “që kanë qëndrim armiqësor ndaj nesh”. Në mesin e shqiptarëve të tubuar në Ferizaj flitej se do të pasonte pushtimi i Arnautllukut (territore të banuara me shqiptarë) nga 40 batalione austro-hungareze. Ato do të hynin nga Shkupi në Fushë-Kosovë.

Diplomati austro-hungarez këto i quante gjepura dhe theksonte se lejen për ekskursion e kishte dhënë qeveria e Vilajetit. Nga pikëpamja jonë, shkruante Adolf Ritter von Zambaur, dështimi i ekskursionit të shkollës gjermane të Selanikut në Kosovë është për keqardhje edhe për arsye se serbët kanë filluar ta shfrytëzojnë rastin për qëllimet e tyre duke u sugjeruar “muhamedanëve” (shqiptarëve) se ndërtimi i hekurudhës në drejtim të Sanxhakut i bart të gjitha fajet për tërë risitë që nuk u pëlqejnë shqiptarëve.

Në fillim të shekullit të XX Kosova pothuaj nuk kishte sistem arsimor dhe ishte shumë lehtë të manipuloheshin masat analfabete. Por si është puna gati 120 vjet më vonë? Qasja në informacion kurrë nuk ka qenë më e lehtë, por edhe rreziqet nga lajmet e rrejshme kurrë nuk kanë qenë më të mëdha. Është e habitshme sa lehtë njerëzit bien pre e lajmeve të rrejshme. Kjo është edhe pasojë e largimit të lexuesve nga mediat tradicionale, të bazuara në fakte, dhe koncentrimi në atë që qarkullon në mediat sociale. Lajmi i rrejshëm shpesh është më i fuqishëm se e vërteta. Kjo fjali i atribuohet shkrimtarit amerikan Mark Twain: “Një gënjeshtër i ka rënë tre herë rreth e qark botës, përpara se e vërteta të mbathë këpucët”. Rrjedhimisht, është me rëndësi që në çdo shoqëri të rritet komptenca mediale, sepse ajo – ndërkohë – është po aq e rëndësishme sa leximi, shkrimi dhe llogaritja. Komptenca mediale duhet të jetë lëndë e posaçme që në shkollën fillore. Vetëm qytetarët që dinë të bëjnë dallimin mes lajmit të rrejshëm dhe lajmit të vërtetë mund të jenë edhe shtetas të përgjegjshëm. Fëmijët dhe të rinjtë me kompetencë mediatike janë të përgatitur për të ardhmen dhe të mbrojtur nga përvojat negative mediatike. /Telegrafi/