Spanja ka marrë një lajm shumë të mirë vetëm pak ditë para ndeshjes së tyre të parë në Kupën e Botës 2026, pasi Lamine Yamal dhe Nico Williams janë rikthyer në stërvitje të plotë me skuadrën.
Dy yjet e repartit ofensiv kishin qenë në dyshim për përballjen e parë të Grupit H ndaj Kepit të Gjelbër, por prania e tyre në seancën stërvitore të së enjtes në Chattanooga, Tennessee, ka rritur ndjeshëm optimizmin në kampin spanjoll.
Lajmi përbën një lehtësim të madh për trajnerin Luis de la Fuente, i cili kishte ndjekur me kujdes procesin e rikuperimit të dy futbollistëve më të rrezikshëm në repartin sulmues.
Yamal, Nico Williams dhe Victor Munoz munguan në ndeshjen e fundit miqësore ndaj Perusë për shkak të problemeve fizike. Ndërsa pjesa tjetër e ekipit udhëtoi për atë takim, tre lojtarët mbetën në kampin stërvitor për t’iu nënshtruar programeve intensive të rehabilitimit.
Shqetësimi më i madh ishte për Lamine Yamal. Talenti i Barcelonës nuk ka zhvilluar një ndeshje zyrtare që nga 22 prilli për shkak të një dëmtimi në kofshën e majtë.
18-vjeçari konsiderohet një nga armët kryesore të Spanjës dhe mungesa e tij kishte ngritur frikën se mund të humbiste të paktën ndeshjet e para të turneut.
Megjithatë, situata tashmë duket shumë më pozitive. Luis de la Fuente kishte deklaruar javën e kaluar se pret që Yamal të jetë i gatshëm për ndeshjen hapëse të Botërorit, megjithëse kishte lënë të kuptohej se minutat e tij mund të menaxhohen me kujdes.
Edhe një paraqitje e shkurtër e yllit të Barcelonës do të konsiderohej një fitore e madhe për spanjollët, të cilët synojnë ta nisin turneun me fitore.
Atmosfera në kampin e Spanjës ishte mjaft pozitive pas rikthimit të dy futbollistëve. Bashkëlojtarët i pritën Yamalin dhe Nico Williams me humor dhe duartrokitje në fillim të seancës stërvitore, ndërsa festa vazhdoi edhe për ditëlindjen e portierit Unai Simon.
Me Yamalin dhe Williamsin sërish në dispozicion, Spanja tashmë mund të fokusohet plotësisht te përgatitjet taktike për ndeshjen e parë të Kupës së Botës.
Kampionët e Evropës konsiderohen ndër favoritët kryesorë për triumfin në Botërorin 2026 dhe rikthimi i dy yjeve ofensivë vetëm sa forcon edhe më shumë ambiciet e tyre për të shkuar larg në turne. /Telegrafi/






