Nga Levante te Real Madridi, Carlos Espí po fiton besimin e Mourinhos

Sport

Real Madridi shmangu një surprizë të madhe në ndeshjen ndaj Elches, duke triumfuar me rezultat 3-2, ndërsa heroi i mbrëmjes ishte një emër që pak kush e priste. Carlos Espí, sulmuesi 21-vjeçar, hyri në lojë në minutën e 88-të në vend të Vinicius Junior dhe vetëm katër minuta më vonë shënoi golin e fitores pas […]

Madhësia e shkronjave

Real Madridi shmangu një surprizë të madhe në ndeshjen ndaj Elches, duke triumfuar me rezultat 3-2, ndërsa heroi i mbrëmjes ishte një emër që pak kush e priste.

Carlos Espí, sulmuesi 21-vjeçar, hyri në lojë në minutën e 88-të në vend të Vinicius Junior dhe vetëm katër minuta më vonë shënoi golin e fitores pas një asisti të Kylian Mbappé.

Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho dukej se kishte ndeshjen nën kontroll, pasi pas 33 minutash udhëhiqte 2-0 falë golave të Arda Guler dhe Mbappé. Megjithatë, Elche reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi rezultatin me golat e Abiel Osorios dhe Fer Ninos, duke krijuar përshtypjen se Reali do të humbiste dy pikë të rëndësishme.

Në momentin vendimtar u shfaq Espí, i cili vazhdon të dëshmojë se mund të jetë një armë e rëndësishme për madrilenët. Ky ishte goli i tij i dytë vendimtar në minutat e fundit këtë sezon.

Deri para një viti, emri i Carlos Espít ishte pak i njohur për publikun e gjerë. Sulmuesi spanjoll u zhvillua në akademinë e Alziras, përpara se të transferohej te Levante në vitin 2022.

Ai debutoi me ekipin e parë të Levantes në sezonin 2023/24, ndërsa shpërthimin e vërtetë e pati sezonin e kaluar, kur realizoi 9 gola në 21 paraqitje në La Liga dhe u shpall lojtari më i mirë i muajit mars.

Në total, Espí zhvilloi 59 ndeshje me Levanten dhe shënoi 16 gola, para se të tërhiqte vëmendjen e Real Madridit, i cili e transferoi gjatë verës.

Carlos Espí nuk është një sulmues tipik modern që mbështetet vetëm te shpejtësia. Me 194 centimetra gjatësi, ai është shumë i fortë në lojën ajrore dhe në zonën e penalltisë, ndërsa dallohet për lëvizjet pa top dhe instinktin për gol.

Mediat spanjolle e krahasojnë profilin e tij me atë që Real Madridi kishte në të kaluarën me Joselun – një sulmues që mund të ndryshojë ndeshjet në minutat e fundit dhe të ofrojë një alternativë ndryshe nga Kylian Mbappé apo Vinicius Junior.

Pavarësisht se nuk është titullar i rregullt, Espí ka raportin më të mirë të golave për minutë në skuadër, duke ngritur debat në Spanjë nëse meriton më shumë hapësira në ekipin e Mourinhos.

“Përpiqem ta ndihmoj ekipin në çdo mënyrë dhe jam shumë i lumtur. Asisti i Mbappé ishte fantastik dhe gjithçka që po jetoj te Real Madridi duket si një ëndërr”, deklaroi sulmuesi pas ndeshjes.

Real Madridi ka konkurrencë të madhe në repartin ofensiv, me emra si Mbappé, Vinicius Junior dhe Endrick, por paraqitjet e Carlos Espít po e kthejnë atë në një opsion serioz për Jose Mourinhon.

Fitorja ndaj Elches e mbajti Realin krah Barcelonës në krye të La Ligas, por njëkohësisht nxori në pah edhe problemet e skuadrës në ruajtjen e avantazhit.

Në fund, ishte Carlos Espí ai që shpëtoi madrilenët dhe u bë heroi i papritur i një tjetër mbrëmjeje dramatike. /Telegrafi/