Florent Hadergjonaj ka njoftuar se, për momentin, nuk do të jetë më në dispozicion të Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e stafit aktual teknik, duke e bërë të qartë se vendimi i tij lidhet me raportin me përzgjedhësin Franco Foda.
Mbrojtësi i krahut e ka bërë të ditur vendimin përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, ku ka theksuar se nuk bëhet fjalë për tërheqje nga Kosova, por për një vendim të lidhur me situatën aktuale dhe marrëdhënien e tij me stafin teknik.
“Pas shumë mendimi, kam marrë vendimin që, për momentin, të mos jem më në dispozicion të Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e stafit aktual teknik”, ka shkruar Hadergjonaj.
30/03/2026 23:45 – Florent Hadërgjonaj optimist para përballjes me Turqinë: Është ndeshja e karrierës, e merituam të jemi këtu telegrafi.com
Ai ka theksuar se ky ka qenë një vendim i vështirë, duke kujtuar se për shtatë vjet e gjysmë ka qenë pjesë e Kombëtares së Kosovës.
“Ta përfaqësoj Kosovën ka qenë dhe mbetet një nga nderet më të mëdha të karrierës sime. Jam krenar për çdo paraqitje dhe për gjithçka që kam dhënë për këtë fanellë”, ka deklaruar Hadergjonaj.
Megjithatë, mbrojtësi ka bërë të ditur se gjatë dy viteve e gjysmë të fundit ka zgjedhur të mos flasë publikisht për situatën, duke preferuar të përgjigjet në fushë me paraqitjet e tij te klubi. Sipas tij, me kalimin e kohës është krijuar bindja se me trajnerin aktual nuk ekziston më baza e nevojshme e respektit dhe besimit për të vazhduar bashkëpunimin profesional.
“Me kalimin e kohës është bërë e qartë për mua se me trajnerin aktual nuk ekziston më baza e nevojshme e respektit dhe ndërsjellë e besimit për të vazhduar një bashkëpunim profesional. Për këtë arsye, kam arritur në një pikë ku duhet të vendos një kufi”, ka shkruar ai.
Hadergjonaj ka insistuar se vendimi i tij nuk është kundër Kosovës. “Ky nuk është tërheqje nga Kombëtarja dhe nuk është vendim kundër Kosovës. Vendimi im lidhet vetëm me situatën aktuale dhe raportin tim me stafin teknik”, ka sqaruar mbrojtësi.
Mungesa e tij vjen në një moment të rëndësishëm për “Dardanët”, të cilët brenda vetëm 10 ditësh do të zhvillojnë katër ndeshje në Ligën e Kombeve. Kosova më 24 shtator pret Irlandën në Prishtinë, më 27 shtator luan në udhëtim ndaj Austrisë, më 1 tetor përballet me Izraelin në Hungari, ndërsa më 4 tetor e pret sërish Austrinë në Prishtinë.
Alternativave kryesore në krahun e djathtë mbetet Mërgim Vojvoda, i cili aktualisht është futbollisti me më së shumti paraqitje në historinë e Kombëtares së Kosovës. /Telegrafi/






