E ardhmja e Robert Lewandowski vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa sulmuesi veteran po shqyrton mundësitë për hapin e ardhshëm në karrierën e tij pas sezonit me Barcelonën.
Gjatë festimeve për titullin kampion të Barcelonës, polaku foli shkurtimisht për të ardhmen e tij, duke lënë të kuptohet se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
“Do të pres derisa të shfaqen opsione të ndryshme dhe më pas do të vendos se çfarë është më e mira për mua dhe familjen time”, deklaroi Lewandowski për “Canal Plus+ Polonia”.
Në një intervistë tjetër për “Eleven Sports”, sulmuesi pranoi se mund ta imagjinojë veten duke luajtur në “një ligë më të vogël”, duke shtuar se ndihet ende në formë të mirë pavarësisht moshës.
Sipas gazetës spanjolle “Sport”, Porto është klubi më i fundit që ka hyrë në garë për shërbimet e tij. Raportohet se drejtuesit e klubit portugez kanë zhvilluar kontakte me menaxherët e lojtarit dhe i kanë prezantuar projektin sportiv në përpjekje për ta bindur të transferohet në Portugali.
Aktualisht po diskutohet një kontratë njëvjeçare. Pjesëmarrja e Portos në Ligën e Kampionëve, si dhe prania e disa futbollistëve polakë në klub, konsiderohen faktorë që mund ta bindin Lewandowskin.
Sulmuesi 37-vjeçar vazhdon të tërheqë interes nga klube të ndryshme në botë, pasi edhe sezonin e fundit tregoi se mbetet një golashënues i rrezikshëm. Ai realizoi 13 gola në La Liga dhe katër në Ligën e Kampionëve, pavarësisht se në shumë ndeshje u aktivizua nga banka rezervë. /Telegrafi/






