Kompania shtetërore zvicerane e transportit “Postauto” ka prezantuar në Altstätten në pjesën lindore të vendit projektin e saj më të ri dhe më të guximshëm të quajtur “Amigo”.
Për herë të parë në Zvicër, automjete elektrike autonome (pa shofer) po kryejnë teste në një zonë prej 80 kilometrash katrorë në kantonet St. Gallen dhe në dy Appenzellët, njofton gazeta “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ).
Zyra Federale e Rrugëve (Astra) ka dhënë tashmë lejen zyrtare për këtë projekt. Megjithëse për arsye sigurie në veturë ndodhet ende një shofer gati për të ndërhyrë, veturat lëvizin vetë pa pasur nevojë për prekjen e timonit. Synimi është që nga viti 2027, udhëtarët në këto zona periferike të mund të rezervojnë udhëtimet e tyre autonome përmes një aplikacioni.
Gjatë vitit të ardhshëm, numri i këtyre mjeteve në Altstätten do të arrijë në 25. Faza tjetër parashikon që shoferi brenda mjetit të zëvendësohet plotësisht nga një qendër kontrolli në distancë, ku një punonjës do të mbikëqyrë disa makina njëkohësisht.
Automjetet dhe teknologjia e përdorur vijnë nga gjiganti kinez Baidu, i cili është lider botëror në këtë fushë. Ky bashkëpunim ka ngritur pikëpyetje rreth sigurisë së të dhënave, por drejtuesit e “Postauto” kanë siguruar se të gjitha të dhënat anonimizohen brenda mjetit, fytyrat nuk regjistrohen dhe asnjë informacion nuk largohet nga Zvicra. Për kinezët, plotësimi i standardeve të rrepta zvicerane shërben si një urë për t’u zgjeruar në tregun evropian.
Drejtori i “Postauto”, Stefan Regli, sqaroi për “NZZ” se ky sistem nuk do të zëvendësojë linjat klasike, por do të shërbejë si plotësim për zonat periferike dhe orët e vona.
Përveç përmirësimit të shërbimit, projekti shihet si një shpëtim afatmesëm për kantonet, pasi kostoja e personelit është e lartë dhe tregu po përballet me një mungesë të madhe të shoferëve. /Telegrafi/






