Ymeri i bën thirrje PDK-së: Boria, bërtima e krismat nuk i shërbejnë qëllimit për drejtësi, riorientoni protestuesit

Nacionale

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka bërë thirrje për maturi dhe përdorim të rrugëve institucionale lidhur me protestat e fundit pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ymeri ka paralajmëruar se dhuna që mund të pasojë nga protestat nuk do të ishte e mirëpritur, duke theksuar se ajo nuk […]

Madhësia e shkronjave

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka bërë thirrje për maturi dhe përdorim të rrugëve institucionale lidhur me protestat e fundit pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ymeri ka paralajmëruar se dhuna që mund të pasojë nga protestat nuk do të ishte e mirëpritur, duke theksuar se ajo nuk sjell rezultatet e kërkuara.

“Dhuna që mund të pasojë nga protestat e fundit nuk do të jetë aspak e mirëpritur për askënd, pasi të gjithë e dimë se ajo nuk sjell rezultatet e kërkuara. Qasja e ndjekur nga protestuesit përmes turmave me bori, shllajfe, bërtima e krisma nuk i shërben qëllimit për drejtësi”, ka shkruar ajo.

Deputetja e LDK-së ka kërkuar që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si partia e dytë më e madhe në Kuvend, të orientojë protestuesit drejt rendit dhe rrugëve institucionale.

“PDK-ja, duke qenë edhe partia e dytë më e madhe në Kuvend, duhet të riorientojë protestuesit për rend edhe t’ju tregojë që kjo çështje nuk është trend i TikTokut, por gjëma më e madhe e shtetit tonë, me të cilën duhet të përballemi me maturi edhe të shfrytëzojmë mënyrat institucionale, duke filluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ymeri.

Ajo ka bërë thirrje për më shumë qartësi në kërkesat që u drejtohen institucioneve dhe në procesin që duhet ndjekur, veçanërisht në kohën kur pritej një vendim nga Gjykata Kushtetuese.

“Si deputete bëj thirrje për sa më shumë qartësi: si në kërkesat e drejtuara Kuvendit, ashtu edhe në procesin që duhet ndjekur”, ka shkruar Ymeri.

Sipas saj, kjo qartësi është e domosdoshme para se protestat të marrin çfarëdo kahu që mund të çojë në kriza të reja institucionale.

“Kjo qartësi është e domosdoshme para se protesta të marrë çfarëdo kahu e të na kthejë në kriza që ngadalësojnë për muaj e vite vendosjen e fatit të Kosovës dhe historinë e shtetit tonë”, ka përfunduar deputetja./Telegrafi/