Gjatë një takimi me furnitorë të marketeve, kryeministri Edi Rama kërkoi bashkëpunimin e tyre në këtë projekt.
Nga tetori qytetarët do të informohen se ku janë subjektet që shesin më lirë çmimet e shportës.
Nëpërmjet platformës “Pasqyra e Çmimeve”, qeveria synon që ata vetë të krahasojnë këto çmime për të marrë produkte më të lira në treg.

Gjatë një takimi me furnitorë të marketeve, kryeministri Edi Rama kërkoi bashkëpunimin e tyre në këtë projekt pilot për krijimin e një tregu sa më transparent për konsumatorin.
“Të ekspozohet lista e plotë e të gjitha dyqaneve dhe adresave. Platforma të marrë çmimin real final për konsumatorin, me TVSH, dhe të dallojë qartë çmimin normal. Të përcaktohet një standard se sa shpejt ndryshojnë çmimet dhe të përcaktohet nëse platforma të tregojë edhe kur produkti nuk do të jetë në stok. Për qytetarin, ka ardhur koha të jetë shumë e thjeshtë, të shikojë, të krahasojë dhe të zgjedhë. Jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i nxjerr rruga dhe të mos ketë një pasqyrë konkurrence”.
Rama sqaroi se qeveria ka interes të mbrojë konsumatorin nga abuzimi me çmimet dhe jo të diktojë vendosjen e tyre në treg.
“Askush nuk ju kërkon që ju të ndaloni së fituari, se për këtë punë keni dalë në treg që të punoni dhe të fitoni, por që të ngarkoni njerëzit, këtë ne nuk do ta lejojmë. Nuk mendoj që po ju kërkojmë të bëni ndonjë sakrificë. Nuk po ju kërkojmë të ktheheni në organizata bamirësie. Po ju themi fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë”.
Si shembull solli dobësimin e monedhës europiane përballë lekut, një fenomen që duhej të reflektohej edhe në uljen e çmimeve.
“Ajo që është edhe më e tmerrshme është që shifrat e BSH thonë e para që zhvlerësimi i euros duhet të sillte ulje çmimesh në produkte që lidhen me euron, inflacioni i importuar ka rënë dhe me produkte të brendshme, këtu bëhet nami me çmimet. Çdo gjë e ka një kufi, po flasim për produkte jetike, të shportës. Për njerëzit që maten shumë mirë për të blerë një kokërr vezë më shumë”.
Platforma “Pasqyra e Çmimeve” do të nisë fillimisht me publikimin e çmimeve të shitjes me pakicë. Ajo do të mundësojë edhe monitorimin e zinxhirit të çmimit, nga importi ose prodhimi deri tek pika e shitjes për të shmangur çdo rast abuzimi.
Gjithashtu, në rast se bizneset nuk bashkëpunojnë vullnetarisht, qeveria do të kryejë kontrolle pranë subjekteve për të analizuar marzhet e fitimit si dhe për të përcaktuar politikat fiskale që mund të lehtësojnë barrën e çmimeve për konsumatorët./Tv Klan





