Vjelljet dhe barkqitjet te fëmijët janë ndër shqetësimet më të shpeshta gjatë sezonit të virozave, sidomos në periudhën kur fëmijët kthehen në kopshte dhe shkolla, ku kontakti me njëri-tjetrin është më i madh.
Për këtë temë ka folur Feride Deliu, specialiste e pediatrisë në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati.
Deliu tha se virozat që shoqërohen me të vjella dhe barkqitje janë mjaft të përhapura në këtë sezon dhe, në shumicën e rasteve, kanë natyrë virale.
“Vjelljet dhe barkqitjet janë mjaft të përhapura në këtë sezon, kryesisht janë virale”, tha ajo.

Sipas saj, një nga masat më të rëndësishme parandaluese është higjiena e duarve dhe shmangia e kontakteve me fëmijë të sëmurë.
“Fëmijët duart t’i pastrojnë sa më shpesh, të kenë sa më pak kontakte me fëmijë të sëmurë”, u shpreh pediatrja.
Megjithatë, Deliu theksoi se kujdesi kryesor i prindërve duhet të jetë rehidrimi i fëmijës, pasi humbja e lëngjeve përmes vjelljeve dhe barkqitjes mund të çojë në dehidrim.
“Prindërit duhet të merren më së shumti me rehidrimin e këtyre fëmijëve”, tha ajo.
Ajo shpjegoi se fëmijët duhet të marrin lëngje në mënyrë që të shmangen pasojat më të rënda, të cilat lidhen me dehidrimin.
“Këta fëmijë duhet të rehidrohen për shkak që mos të vijë deri te pasojat më të rënda, që janë dehidrimi”, theksoi Deliu.
Pediatrja tha se kur fëmija është i dehidratuar, mund të bëhet konfuz, të refuzojë ushqimin, të mos pijë mirë dhe të mos ketë gjendje të mirë të përgjithshme.
“Fëmijët janë konfuzë, refuzojnë ushqimin, nuk ushqehen mirë, nuk pinë mirë”, u shpreh ajo.
Deliu tregoi edhe shenjat kur prindërit nuk duhet ta trajtojnë më gjendjen vetëm në shtëpi, por duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Nëse vjellja vazhdon, edhe në sasi edhe në kohë shpesh, nëse fëmija refuzon ushqimin, refuzon të pijë, posaçërisht nëse është konfuz ose i përgjumur”, tha ajo.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:





