Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pretendon se SHBA-ja ka arritur një marrëveshje me Danimarkën që i jep asaj “kontroll të përhershëm” mbi sigurinë e Grenlandës “dhe të gjitha nevojat e tjera”.
Ky njoftim vjen më shumë se një vit pasi presidenti amerikan kërcënoi se do ta merrte nën kontroll territorin autonom të Arktikut, i cili është pjesë e Danimarkës.
Ato kërcënime shkaktuan trazira në aleancën e sigurisë së NATO-s, pjesë e së cilës janë Uashingtoni dhe Kopenhaga.
Sipas Danimarkës, marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, javën e ardhshme.
Kopenhaga ka theksuar se ruan sovranitetin mbi Grenlandën dhe se kjo marrëveshje do të duhet ende të ratifikohet në parlamentet e Danimarkës dhe të Grenlandës.
Ja çfarë dimë për marrëveshjen dhe çfarë mund të nënkuptojë ajo për SHBA-në dhe Grenlandën:
Teksti zyrtar ende nuk është publikuar.
Por, sipas Trumpit, marrëveshja i jep SHBA-së kontroll të përhershëm mbi sigurinë e Grenlandës dhe “të gjitha nevojat e tjera”, pa asnjë kosto për SHBA-në.
Marrëveshja u ndalon kundërshtarëve të SHBA-së vendosjen e një pranie ushtarake ose kryerjen e “investimeve të ndjeshme” në Grenlandë pa miratimin e SHBA-së, tha Trump.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, i cituar nga BBC-ja, tha se marrëveshja do të thotë se shtetet që nuk janë anëtare të NATO-s nuk do të mund të krijojnë baza në Grenlandë dhe do të pengohen të bëjnë “investime në Grenlandë që mund të kërcënojnë Shtetet e Bashkuara”.
Zyrtari theksoi se kjo nënkupton që Kina dhe Rusia nuk do të mund të ndërtojnë baza apo të dërgojnë trupa në Grenlandë, si dhe se ato shtete do të pengohen të investojnë “në sektorë të ndjeshëm”.
Megjithatë, Mikkel Olesen, një studiues i lartë në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare, i tha Al Jazeera-s se ka pak gjasa që kjo të jetë një lëshim i madh, sepse “danezët dhe grenlandezët nuk kanë dashur kurrë që Rusia apo Kina të kenë baza në Grenlandë”.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse vende të tjera mund të etiketohen gjithashtu si “kundërshtarë” të SHBA-së në të ardhmen, duke iu nënshtruar këtyre kufizimeve.
Trump e quajti marrëveshjen një “Marrëveshje me Jetëgjatësi të Pafundme”, që do të thotë se “ajo nuk përfundon kurrë”.
Zyrtari i Departamentit të Shtetit tha gjithashtu se marrëveshja i jep SHBA-së të drejtën për të ndërtuar më shumë baza ushtarake në ishull pa pasur nevojë për miratimin e Grenlandës apo të Danimarkës.
Sipas zyrtarit, marrëveshja do të mbetet në fuqi edhe nëse Grenlanda do të bëhej shtet i pavarur në të ardhmen.
Nuk pati ndonjë përmendje specifike të të drejtave të mundshme të SHBA-së për miniera në Grenlandë – e cila zotëron depozita të pasura me minerale të rralla, përfshirë zinkun, hekurin dhe uraniumin, të cilat ka gjasa të tërheqin interesin e Trumpit.
Këto minerale janë shumë të kërkuara dhe përdoren në prodhimin e qindra produkteve teknologjike, nga telefonat inteligjentë deri te aeroplanët luftarakë.
Megjithatë, disa vëzhgues mendojnë se kjo mund të jetë ajo që Trump nënkupton kur flet për “investime të ndjeshme”.
Presidenti amerikan ka kërkuar të zgjerojë qasjen globale të SHBA-së ndaj metaleve të rralla, veçanërisht ndërsa Kina – lider global në industritë e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe energjisë së rinovueshme, e cila zotëron 60 për qind të depozitave të njohura botërore të këtyre mineraleve – po kufizon eksportet e tyre.
Çfarë kanë thënë Grenlanda dhe Danimarka?
Grenlanda dhe Danimarka e konfirmuan marrëveshjen të premten, por asnjëra palë nuk dha detaje specifike mbi kushtet e saj.
Ato thanë se marrëveshja do të shpallet javën e ardhshme.
Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se ajo “njeh interesat e Grenlandës” dhe është “në dobi të të gjithëve ne”.
E kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, vlerësoi se ajo është “e shkëlqyer për NATO-n dhe Evropën”, pasi “forcon sigurinë tonë të përbashkët në Arktik dhe në zonën e Atlantikut të Veriut”.
Olesen theksoi se detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta dhe se informacioni i disponueshëm duhet marrë me rezerva, pasi pjesa më e madhe e tij deri më tani ka ardhur nga pala amerikane.
A i jep marrëveshja SHBA-së pronësinë mbi Grenlandën?
Jo, ajo nuk e përmbush objektivin e shprehur më parë nga Trumpi për “pronësi”.
Frederiksen e Danimarkës tha se marrëveshja “njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë, si dhe të drejtën e popullit grenlandez për vetëvendosje”.
Olesen tha më tej se marrëveshja mund të jetë pozitive për Grenlandën dhe Danimarkën, pasi “ka potencialin t’i japë fund krizës” së shkaktuar nga këmbëngulja e Trumpit për të marrë nën kontroll Grenlandën vitin e kaluar, pa sakrifikuar sovranitetin.
Kërcënimet e mëparshme të Trumpit për të marrë kontrollin e Grenlandës hasën në një rezistencë të fortë në ishullin me 56,000 banorë.
Një sondazh i janarit 2025 tregoi se 85 për qind e grenlandezëve kundërshtonin bërjen pjesë e SHBA-së.
Çfarë të drejtash ushtarake gëzojnë tashmë SHBA-ja në Grenlandë?
Sipas shkrimit të Al Jazeera, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm.
Sipas një traktati të vitit 1951, SHBA-ja ka të drejta të gjera për fluturime mbi territor dhe për vendosjen e bazave në ishull.
Përveçse i jep SHBA-së të drejtën për të ndërtuar baza dhe për të mbajtur personel, traktati përcakton gjithashtu se SHBA-ja mund të “kontrollojë uljet, ngritjet, ankorimet, lidhjet në kalatë, lëvizjet dhe operacionet e anijeve, avionëve dhe mjeteve lundruese”.
Si pjesë e traktatit, SHBA-ja aktualisht operon një bazë të Forcës Hapësinore në një zonë të largët të Grenlandës veriperëndimore – Bazën Hapësinore Pituffik.
Aty janë të stacionuar më shumë se 100 pjesëtarë të personelit.
Çfarë do të ndryshonte realisht me këtë marrëveshje të re?
Trump tha se SHBA-ja do të fillojë “menjëherë” të krijojë një prani të madhe ushtarake në Grenlandë.
Megjithatë, SHBA-ja e kishte tashmë të drejtën për të ndërtuar baza dhe për të dërguar personel atje, në bazë të traktatit të vitit 1951.
Imran Bayoumi, një ish-zyrtar i Pentagonit, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se do të ishte risi nëse SHBA-ja do të mundte tani të ndërtonte baza në mënyrë të njëanshme, por “duket se Uashingtoni mund t’i kishte arritur shumë nga këto objektiva përmes diplomacisë dhe dialogut, pa tensionuar marrëdhënien më të gjerë SHBA-NATO”.
Trump ka thënë gjithashtu se SHBA-ja do t’i mbështesë banorët e Grenlandës në fushën e “zhvillimit dhe ndërtimit”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Richard Weitz, bashkëpunëtor në Kolegjin e Mbrojtjes të NATO-s, i tha Al Jazeera-s se marrëveshja “shuan ndoshta një nga burimet më serioze të tensioneve të brendshme” brenda NATO-s.
Ndërsa Trump “u tërhoq dhe u mjaftua me më pak” sesa kishte kërkuar lidhur me Grenlandën, ai gjithsesi “arriti pothuajse gjithçka që donte, përveç aneksimit zyrtar”, shtoi Weitz. /Telegrafi/






