Zyrtarë të inteligjencës evropiane kanë ngritur mundësinë e një “testi” të afërt të Rusisë ndaj NATO-s, ku njëri prej tyre deklaroi se një sulm i mundshëm mund të ndodhë brenda “muajve, jo viteve”.
Këto paralajmërime vijnë pasi kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i tha parlamentit se vlerësimet e inteligjencës sugjeronin se Rusia mund të ndërmarrë një sulm me dronë ose raketa ndaj territorit të NATO-s në muajt në vijim, si pjesë e përpjekjeve për të dëshmuar se “Neni 5 është më tepër teorik sesa praktik”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cilësoi paralajmërimet e Tuskut si “të bazuara dhe të dokumentuara mirë” dhe të premten thirri liderët e partive e kandidatët presidencialë për zgjedhjet e vitit 2027 në një takim urgjent në Paris, ku diskutuan – ndër të tjera – mbi informacionet e inteligjencës për një kërcënim në rritje nga Rusia.
Frika për përshkallëzim vjen ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mblidhet në Nju Jork dhe në mes të intensifikimit të sulmeve ajrore nga të dyja palët në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Kievi goditi Moskën dhe rajone të tjera ruse me qindra dronë e raketa në orët e para të së dielës, në një nga sulmet e tij më të mëdha ajrore të luftës.
Në intervista të ndara për “The Guardian” gjatë javës së kaluar, në vende të ndryshme, drejtues të inteligjencës evropiane diskutuan pikëpamjet e tyre mbi kërcënimin e mundshëm nga Moska.
Michal Koudelka, kreu i shërbimit të sigurisë çeke BIS, tha se krahas shtimit të aktivitetit të dronëve, një pushtim në shkallë të vogël i territorit të NATO-s që kufizohet me Rusinë mund të jetë pjesë e planeve të Kremlinit.
“Është e mundur. Mund të përfshijë një inkursion të kufizuar, provokime të tipit ‘flamur i rremë’ apo një fushatë masive ndikimi”, tha ai në një intervistë në selinë e agjencisë në Pragë, përcjell Telegrafi.
Ai tha se ky skenar mund të realizohet brenda “muajve, jo viteve”, por shtoi se “shumë njerëz po bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që kjo të mos ndodhë”.
E zyrtarë nga vendet baltike, të cilat kufizohen me territorin rus, kanë qenë më të kujdesshëm lidhur me mundësinë e një pushtimi apo përshkallëzimi tjetër serioz, duke përmendur burimet e kufizuara të Moskës për shkak të luftës në Ukrainë dhe duke paralajmëruar se theksimi i tepërt i mundësisë së një sulmi mund t’i shkojë për shtat Kremlinit.
“Ne nuk shohim shenja të një sulmi të pashmangshëm”, thekson Normunds Mežviets, drejtori i përgjithshëm i VDD-së (shërbimi shtetëror i sigurisë së Letonisë), në një intervistë në selinë e agjencisë në Riga.
Ai pranoi se kishte indikacione që Moska po bënte përgatitje për veprime më vendimtare në Evropë, por theksoi se nuk ishte e qartë nëse këto plane ishin thjesht pjesë e një strategjie destabilizimi.
“Mbetet ende një çështje e hapur nëse ata kanë plane të drejtpërdrejta dhe konkrete, apo nëse kjo është thjesht në kuadrin e përpjekjeve të tyre të përgjithshme për të përhapur frikë dhe pasiguri në shoqërinë perëndimore”, ka theksuar ai.
Politikanët baltikë, të cilët për vite me radhë e kritikonin Evropën Perëndimore për qëndrim të butë ndaj Rusisë, tani gjenden në një situatë të pazakontë: u kërkojnë disa liderëve perëndimorë të tregojnë më shumë gjakftohtësi në komunikimet e tyre publike, nga frika se diskutimet për një pushtim të mundshëm mund të dëmtojnë shoqëritë dhe ekonomitë e tyre.
Të shtunën, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Estonisë, Jonatan Vseviov, kritikoi “panikun në rrjetet sociale” të ditëve të fundit lidhur me një sulm të mundshëm. “Nëse ka arsye për t’u frikësuar nga një sulm, jini të sigurt: ne do ta bëjmë këtë të qartë. Deri atëherë, ruani qetësinë, vazhdoni jetën normalisht dhe mbështetni Ukrainën”, shkroi ai në platformën X.
Mežviets tha se, në përgjithësi, ishte pozitive që Evropa Perëndimore ishte ndërgjegjësuar për kërcënimin që vjen nga Rusia.
“Para vitit 2022, ne i paralajmëronim vazhdimisht partnerët tanë të Evropës Perëndimore për kërcënimin rus, por në shumicën e rasteve zëri ynë nuk dëgjohej. Në vitin 2022, qasja e partnerëve tanë ndryshoi. Ata pranuan se baltikët dhe polakët kishin pasur të drejtë”.
As Mežviets dhe as Koudelka nuk pranuan të diskutonin mbi informacionet specifike të inteligjencës që mund të jenë siguruar lidhur me planet e supozuara të Rusisë për muajt në vijim; gjithashtu, ata nuk komentuan nëse vizita e papritur e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë muajin e kaluar – gjatë së cilës ai bëri një ndalesë edhe në Riga – kishte për qëllim, pjesërisht, paralajmërimin e Kremlinit për rreziqet e nisjes së një sulmi ndaj NATO-s.
Pas asaj vizite, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë zërat për një sulm rus ndaj NATO-s.
“Kjo nuk ka asnjë lidhje me realitetin dhe as me qëllimet e Federatës Ruse”, pretendoi ai.
Megjithatë, shumë njerëz në Evropë do të kenë në mendje përgatitjet për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, kur zyrtarët amerikanë paralajmëruan vazhdimisht se Rusia po përgatitej të pushtonte dhe Kremlini e mohoi vazhdimisht këtë.
Dhe ndërsa lufta në shkallë të plotë që pasoi i afrohet dimrit të saj të pestë, përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-të për të sjellë paqe në Ukrainë nuk tregojnë shenja suksesi. /Telegrafi/





