Bukë e freskët apo e thekur? Ja çfarë ndodh me sheqerin në gjak, kaloritë dhe tretjen

shendetesi

Një ndryshim i vogël gjatë përgatitjes mund të ndikojë ndryshe nga sa mendojmë, por jo çdo përfitim që i atribuohet tostimit është i vërtetë Shumë njerëz zgjedhin më shpesh bukën e thekur sesa atë të freskët, sepse besojnë se tretet më lehtë, ndikon më pak në shtimin e peshës ose e rrit më ngadalë nivelin […]

Madhësia e shkronjave

Një ndryshim i vogël gjatë përgatitjes mund të ndikojë ndryshe nga sa mendojmë, por jo çdo përfitim që i atribuohet tostimit është i vërtetë

Shumë njerëz zgjedhin më shpesh bukën e thekur sesa atë të freskët, sepse besojnë se tretet më lehtë, ndikon më pak në shtimin e peshës ose e rrit më ngadalë nivelin e sheqerit në gjak. Për disa prej këtyre pohimeve ekziston një shpjegim i caktuar shkencor, por thekja nuk e shndërron bukën në ushqim dietik dhe nuk ia zvogëlon ndjeshëm karbohidratet apo kaloritë.

Gjetja më interesante lidhet me ndryshimin e përgjigjes glikemike, përkatësisht me shpejtësinë dhe intensitetin e rritjes së sheqerit në gjak pas ushqimit.

Thekja mund ta zbusë rritjen e sheqerit në gjak

Në një studim të vogël, të kryer te dhjetë persona të shëndetshëm, janë krahasuar buka e bardhë e freskët, buka e ngrirë dhe më pas e shkrirë, buka e thekur dhe buka që fillimisht ishte ngrirë, pastaj shkrirë dhe në fund thekur.

Rezultatet treguan se rritja e nivelit të glukozës ishte më e vogël pas konsumimit të bukës së thekur sesa pas bukës së bardhë të freskët. Përgjigjja më e favorshme u regjistrua kur buka ishte ngrirë paraprakisht, më pas ishte shkrirë dhe në fund ishte thekur.

Autorët e studimit supozuan se ftohja dhe ringrohja ndryshojnë strukturën e niseshtesë, duke bërë që një pjesë e saj të bëhet më pak e qasshme për enzimat tretëse. Si pasojë, glukoza mund të çlirohet dhe të përthithet disi më ngadalë.

Megjithatë, duhet pasur parasysh një kufizim i rëndësishëm: në studim morën pjesë vetëm dhjetë persona të shëndetshëm. Prandaj, nga këto rezultate nuk mund të përfundohet se thekja e bukës ka ndikim të madh ose afatgjatë në parandalimin e diabetit, kontrollin e peshës trupore apo shëndetin në përgjithësi, transmeton Telegrafi.

Buka e thekur nuk ka më pak kalori dhe nuk e eliminon glutenin

Gjatë thekjes, buka humbet kryesisht një pjesë të ujit, prandaj bëhet më e thatë dhe krokante. Sasia e kalorive dhe e karbohidrateve në një fetë nuk zvogëlohet ndjeshëm, ndërsa thekja nuk e eliminon as glutenin.

Për këtë arsye, personat me sëmundje celiake nuk duhet të konsumojnë bukë gruri të thekur, përveç rasteve kur ajo është përgatitur nga përbërës pa gluten.

Disa njerëz e ndiejnë bukën e thekur më të lehtë për stomakun, sidomos kur kanë të përziera, por kjo nuk do të thotë se ajo tretet objektivisht më lehtë te të gjithë.

Buka nuk duhet të theket derisa të errësohet shumë

Thekja për kohë të gjatë dhe temperaturat shumë të larta shtojnë formimin e akrilamidit, një substancë që mund të krijohet në disa ushqime të pasura me niseshte gjatë pjekjes dhe skuqjes.

Për këtë arsye, rekomandohet që buka e thekur të ketë ngjyrë të artë të çelët ose kafe të çelët, jo kafe të errët apo të jetë e djegur. Pjesët më të errëta ose të karbonizuara është më mirë të hiqen.

Në përfundim, buka e thekur lehtë mund të shkaktojë një rritje disi më të vogël të sheqerit në gjak sesa buka e bardhë e freskët, por ndryshimi me gjasë nuk është i madh.

Për ushqimin e përditshëm, shumë më të rëndësishme janë lloji i bukës, sasia që konsumojmë dhe ushqimet me të cilat e shoqërojmë. Buka me më shumë drithëra të plota dhe fibra, e kombinuar me proteina dhe perime, përgjithësisht është zgjedhje më e mirë se buka e bardhë, pavarësisht nëse është e thekur apo jo. /Telegrafi/