The Life Of Sound sjell premierën e dokumentarit muzikor “Zero AI”

Magazina

Gjatë muajit qershor, produksioni The Life Of Sound do të publikojë premierën e dokumentarit muzikor “Urban Underground Unplugged”, një projekt artistik që ndërthur muzikën live, jetën urbane dhe frymën autentike të skenës alternative rock në Kosovë. Dokumentari është realizuar në stil reality show dhe sjell nga afër përditshmërinë e artistëve urbanë, procesin kreativ, performancat spontane […]

Madhësia e shkronjave

Gjatë muajit qershor, produksioni The Life Of Sound do të publikojë premierën e dokumentarit muzikor “Urban Underground Unplugged”, një projekt artistik që ndërthur muzikën live, jetën urbane dhe frymën autentike të skenës alternative rock në Kosovë.

Dokumentari është realizuar në stil reality show dhe sjell nga afër përditshmërinë e artistëve urbanë, procesin kreativ, performancat spontane dhe atmosferën reale të skenës underground. Në qendër të projektit është Bashkim Myftari, lideri i ish-grupit legjendar Garazhat e Bardha, i cili rikthehet me këngë të reja origjinale dhe interpretime të veçanta unplugged në ambiente të ndryshme urbane.

Një pjesë e rëndësishme e dokumentarit janë edhe përpunimet moderne të këngëve të vjetra shqipe, të sjella në stil urban rock. Sipas autorëve të projektit, bëhet fjalë për tregime dhe tekste të bukura shqiptare, të vjetra por të paharruara, të cilat tani vijnë të ripërpunuara me akorde rock, interpretim modern dhe frymë alternative.

Dokumentari sjell gjithashtu bashkëpunime me artistë të ndryshëm të skenës underground, ndër ta edhe Anton Krasniqi, një personazh i njohur dhe interesant i muzikës alternative kosovare.

Një nga surprizat artistike të projektit është interpretimi i veprës së njohur “Anës Lumenjve” të Fan Noli, e sjellë në një mënyrë muzikore me titull “I përgjumun” të përshtatur me kohën moderne, por duke ruajtur emocionin dhe fuqinë poetike të origjinalit.

Pjesë e repertorit janë edhe këngët origjinale ku performohen për herë të parë: “Ëndërrime”, “Atdhe e Mëmëdhe”, “Dikur”, “E”, si dhe kënga kryesore e projektit “E ti tani buzëqeshe”, nga e cila, sipas realizuesve, nisi e gjithë ideja e këngëve të reja që parawiten për herë të parë në dokumentarë.

Në dokumentar paraqitet edhe Harmonious, kori i grave që po përgatit një performancë muzikore për aplikim pranë Ambasadës Amerikane, me synimin për të performuar live më 4 korrik, në kuadër të festimeve për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së.

Ajo që e veçon “Urban Underground Unplugged” është autenticiteti i plotë artistik. Dokumentari nuk përdor audio production të avancuar dhe as inteligjencë artificiale në performancat live. Çdo interpretim është regjistruar në mënyrë organike dhe reale, duke ruajtur emocionin, gabimet njerëzore, energjinë dhe shpirtin e muzikës live.

Premiera e dokumentarit pritet të publikohet gjatë qershorit dhe synon të sjellë një frymë të re dokumentare në skenën muzikore dhe kulturore shqiptare. /Telegrafi/