Emri i influencueses turke Çagla Oz Tançalan është kthyer në qendër të vëmendjes pas një hetimi që nisi pas dasmës së saj madhështore në Van, Turqi, ku pamjet e sasisë së madhe të arit dhe parave të vendosura si dhurata u bënë virale në rrjetet sociale.
Çagla është bashkëshortja e Mehmet Fatih Tançalan, i njohur në rrjetet sociale me nofkën “Vanli Kara Haydar”.
Çifti u bë i njohur për publikun pikërisht përmes pamjeve nga dasma luksoze, ku u shfaqën sasi të mëdha ari.
Pamjet tërhoqën vëmendje të madhe dhe më pas çështja u kthye në një hetim zyrtar nga autoritetet turke.

Në kuadër të hetimit, Mehmet Fatih Tançalan u arrestua dhe u dërgua para gjykatës, ku u vendos masa e paraburgimit për dyshimin për pastrim të pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Hetimi u zgjerua më pas edhe te persona të tjerë të afërt me të.
Edhe Çagla, ndaj së cilës ishte lëshuar urdhër arresti, u ndalua në Stamboll.
Pas procedurave në polici, ajo u dërgua në Van, ku vazhduan hetimet dhe procedurat gjyqësore.
Më 14 shtator, gjykata vendosi që edhe Çagla të arrestohej në kuadër të së njëjtës çështje.
Është një figurë e njohur në rrjetet sociale në Turqi.
Sipas të dhënave të publikuara për të, ajo ka lindur në vitin 1999 në Stamboll dhe ka studiuar Administrim Biznesi në Universitetin Beykent.
Më pas është angazhuar edhe në fushën e modës dhe ka ndërtuar një audiencë në rrjetet sociale.
Emri i saj u bë veçanërisht i njohur pas martesës me Mehmet Fatih Tançalan dhe dasmës luksoze në Van, pamjet e së cilës u përhapën gjerësisht në internet.
Tashmë, ajo është në qendër të një hetimi penal dhe përballet me akuzën për pastrim të pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Hetimi i autoriteteve turke është ende në zhvillim. /Telegrafi/





