Mediumi hulumtues serb, Radar ngre dyshime serioze se autoritetet në Beograd mund të jenë duke shfrytëzuar individë me të kaluar kriminale, grupe tifozësh dhe ish-pjesëtarë të strukturave të sigurisë për kryerjen e operacioneve që zakonisht i takojnë institucioneve zyrtare shtetërore.
Në analizën e titulluar “Operacioni Tivat: Kriminelë dhe policë në të njëjtin mision”, gazetari Milan Radonjiq pretendon se në një operacion të zhvilluar para Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Mal të Zi janë përfshirë persona nga aparati i sigurisë serbe, ish-policë dhe individë me precedentë penalë. Sipas tij, kjo pasqyron një model tashmë të njohur të funksionimit të pushtetit në Serbi.
Sipas raportimit të Radar, një fluturim çarter nga Beogradi drejt Malit të Zi ka ngritur shqetësime si në rajon ashtu edhe në qarqet ndërkombëtare të sigurisë.

Mediumi pretendon se në bord ndodheshin ish-policë, pjesëtarë aktivë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, anëtarë të kompanive private të sigurisë, tifozë të njohur dhe persona me të kaluar kriminale.
Kjo situatë, sipas autorit, ka hapur një sërë pyetjesh mbi mënyrën e organizimit, financimit dhe qëllimin e vërtetë të këtij operacioni.
Ish-zyrtari i sigurisë Zoran Stijoviq, i cituar nga Radar, vlerëson se rasti mund të ketë pasoja në nivel ndërkombëtar për Serbinë.
“Disa nga personat në atë avion deklaruan se ishin pjesë e një sigurimi joformal. Kjo ngre pyetjen në nivel ndërkombëtar nëse pushteti në Beograd përdor persona me profil të dyshimtë sigurie dhe grupe tifozësh për realizimin e detyrave shtetërore”, deklaroi Stijoviq.
Radar raporton gjithashtu se rasti ka tërhequr vëmendjen e shërbimeve evropiane të inteligjencës, të cilat mund të kërkojnë sqarime mbi organizimin e fluturimit, origjinën e pajisjeve të gjetura te pjesëmarrësit dhe natyrën e misionit të tyre në Mal të Zi.
Stijoviq shton se autoritetet serbe do të duhet të japin përgjigje për një sërë çështjesh të hapura lidhur me rastin.
“Ky është një rast për të cilin Serbia do të duhet të japë llogari. Duhet të sqarohet kush e organizoi dhe financoi fluturimin, nga erdhën pajisjet e gjetura dhe nëse qëllimi ishte destabilizimi i Malit të Zi apo realizimi i një operacioni hibrid”, tha ai.
Në përfundim, Radar vlerëson se “Operacioni Tivat” mund të sjellë pasoja politike dhe diplomatike për Serbinë, ndërsa mbeten pa përgjigje pyetjet kryesore mbi organizatorët, financuesit dhe qëllimin e vërtetë të operacionit. /Telegrafi/





