Autoritetet serbe kanë arrestuar një person me origjinë nga Istogu, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “spiunazh”, në një rast që lidhet me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i dyshuari R.T., 46 vjeç, është arrestuar më 30 korrik në territorin e Kraljevës nga pjesëtarë të Shërbimit për Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit (SBPT), në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kriminale, Prokurorinë e Lartë Publike në Kraljevë dhe Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Sipas pretendimeve të autoriteteve serbe, personi i arrestuar dyshohet se ka bashkëpunuar me një “shërbim informativ që vepron në territorin e Kosovës” dhe se ka mbledhur e transmetuar të dhëna për aktivitetet e ish-pjesëtarëve dhe pjesëtarëve aktualë të Ushtrisë së Serbisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera të sigurisë.
Arrestimi është bërë në një periudhë kur në Kosovë po zhvillohen gërmime në zonën e Kalludrës së Vogël në Zubin Potok, një lokacion i dyshuar për ekzistencën e një varreze masive, shkruan b92.
Dyshohet se aty mund të gjenden mbetjet mortore të 23 intelektualëve shqiptarë nga Mitrovica, të zhdukur në prill të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Autoritetet serbe kanë bërë të ditur se ndaj R.T. është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, ai pritet të dalë para Prokurorisë së Lartë Publike në Kraljevë, e cila do të vendosë për hapat e mëtejshëm ligjorë. /Telegrafi/





