Shoferi ndërtoi Nju Jorkun me mbi 800 mijë ndërtesa – tani modeli i tij është ekspozitë në muze

Life/Bizare

Për më shumë se dy dekada, Joe Macken, një shofer kamioni nga Nju Jorku, e kaloi kohën e lirë duke ndërtuar diçka që nisi si një hobi dhe përfundoi si një vepër gjigante: një model të Nju Jorkut me më shumë se 800 mijë struktura. Macken e ndërtoi qytetin në miniaturë me dru të lehtë […]

Madhësia e shkronjave

Për më shumë se dy dekada, Joe Macken, një shofer kamioni nga Nju Jorku, e kaloi kohën e lirë duke ndërtuar diçka që nisi si një hobi dhe përfundoi si një vepër gjigante: një model të Nju Jorkut me më shumë se 800 mijë struktura.

Macken e ndërtoi qytetin në miniaturë me dru të lehtë balsa dhe pllaka shkumë, në bodrumin e shtëpisë së tij. Kur modeli ishte pothuajse i përfunduar, vajza e tij e bindi që ta publikonte në TikTok.

Videot u bënë menjëherë virale, duke marrë më shumë se 10 milionë shikime brenda një jave. Kjo tërhoqi vëmendjen e Museum of the City of New York, i cili e kontaktoi Macken dhe vendosi ta ekspozonte krijimin e tij.

Ekspozita, e titulluar “He Built This City”, u hap në shkurt dhe do të qëndrojë e hapur deri më 12 tetor, transmeton Telegrafi.

Modeli përfshin të pesë lagjet administrative të Nju Jorkut, si dhe pjesë të Nju Xhersit dhe Long Islandit.

I gjithë qyteti është shtrirë mbi më shumë se 300 pllaka të mëdha, të lidhura me njëra-tjetrën si pjesë të një puzzle. Modeli është rreth 15 metra i gjatë dhe 9 metra i gjerë, ndërsa çdo centimetër në miniaturë përfaqëson rreth 49 metra në qytetin real.

Në të janë ndërtuar mbi 800 mijë struktura, kryesisht nga dru balsa – nga rrokaqiejt e Manhatanit dhe shtëpitë e Queensit, deri te monumentet më të njohura si Statuja e Lirisë, Yankee Stadium dhe Brooklyn Bridge.

“Unë kurrë nuk mendova vërtet për ta përfunduar, sepse po argëtohesha aq shumë duke e ndërtuar”, tha Macken gjatë një vizite në ekspozitë.

Ideja i lindi që në fëmijëri, kur vizitoi Queens Museum dhe pa “Panorama of the City of New York”, modelin gjigant të qytetit të ndërtuar për Panairin Botëror të viteve 1964–1965.

A truck driver went viral for building a giant model of NYC in free time. Now it’s a museum exhibit www.youtube.com

Por Macken nisi projektin e tij vetëm kur ishte në të 40-at. Në atë periudhë, ai dhe familja e tij ishin larguar nga Long Islandi dhe ishin zhvendosur në zonën e Albanyt, në veri të shtetit të Nju Jorkut.

“Besoj se, në mënyrë të pavetëdijshme, mund të më kishte marrë malli për Nju Jorkun”, tregoi ai.

Ndërtesa e parë që ndërtoi ishte Rockefeller Center, me kullën e famshme 30 Rock. Më pas vazhdoi me Midtown Manhattan, proces që i mori rreth dhjetë vjet.

Ndër më të vështirat ishte Empire State Building, veçanërisht maja e tij në stilin Art Deco.

“Doja ta bëja perfekt. Njerëzit do ta shikonin”, tha Macken.

Macken nuk kishte asnjë përvojë profesionale në ndërtimin e modeleve, arkitekturë apo dizajn. Ai thotë me shaka se përvoja e tij e vetme ishte ndërtimi i Lego-ve dhe Lincoln Logs kur ishte fëmijë.

Megjithatë, me kalimin e viteve ai u bë gjithnjë e më i shpejtë dhe efikas. Pothuajse çdo moment të lirë ia kushtonte projektit, duke marrë materialet me vete edhe gjatë udhëtimeve familjare ose duke punuar gjatë pushimeve mes orareve të drejtimit të autobusit.

“Thjesht ishte diçka që nuk mund ta ndaloja së bëri”, tha ai.

Në fazat e fundit, modeli ishte kthyer në një obsesion të vërtetë. Macken tregoi se ndonjëherë qëndronte deri në katër orë në tavolinë para gjumit dhe madje e zinte gjumi aty.

Modeli nuk paraqet domosdoshmërisht një kopje perfekte të Nju Jorkut të ditëve të sotme.

Macken ka ruajtur edhe pjesë të qytetit që tashmë nuk ekzistojnë. Në Queens ai ka rindërtuar një restorant ku shkonte gjatë fëmijërisë, megjithëse sot në atë vend ndodhet një ndërtesë e lartë.

Ai ka përfshirë gjithashtu urën e vjetër Kosciuszko mes Brooklynit dhe Queensit, e cila u shemb në vitin 2017 dhe u zëvendësua nga një urë e re.

Në Manhatanin e Poshtëm qëndrojnë ende edhe Kullat Binjake të World Trade Center, të paraqitura krahas One World Trade Center dhe rrokaqiejve të tjerë të ndërtuar pas sulmeve terroriste të vitit 2001.

“Kam ruajtur shumë pjesë të miat të qytetit. Vetëm për vete”, tha Macken.

Ekspozita ka tërhequr vizitorë që nuk shohin vetëm një model gjigant, por kërkojnë edhe pjesët e tyre të Nju Jorkut.

Disa përdorin dylbitë e vendosura pranë platformës, ndërsa të tjerë përpiqen të dallojnë lagjet, ndërtesat dhe monumentet që u duken të njohura.

Një vizitor, Jonathan Skolnik, përdori modelin për të gjurmuar historinë e familjes së tij nëpër pesë lagjet e qytetit, duke treguar adresën ku babai i tij kishte jetuar kur mbërriti në Amerikë, lagjen ku ai vetë kishte lindur dhe varrezat ku prehen familjarë të tij.

Pasi ekspozita të mbyllet në tetor, Macken shpreson që modeli të ekspozohet edhe në vende të tjera.

Por ai nuk ka ndërmend të ndalet. Tashmë planifikon të shtojë më shumë se 50 ndërtesa të reja dhe të zgjerojë edhe më tej modelin në drejtim të Nju Xhersit dhe Long Islandit.

Një projekt që nisi thjesht si një mënyrë për të kaluar kohën e lirë është kthyer kështu në një nga mënyrat më të pazakonta për ta parë dhe kujtuar Nju Jorkun – një qytet i tërë, i ndërtuar me dorë, pjesë-pjesë. /Telegrafi/